Paralajmërimi: Evropës i kanë mbetur ndoshta edhe 6 javë karburant për avionë

Europa mund të ketë vetëm edhe rreth 6 javë rezervë karburanti për avionë, paralajmëroi të enjten kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, gjatë një interviste të gjerë për Associated Press, duke shtuar se anulimet e fluturimeve mund të ndodhin “së shpejti” nëse furnizimet me naftë vazhdojnë të bllokohen nga lufta me Iranin.

Drejtori ekzekutiv i IEA, Fatih Birol, paraqiti një tablo shqetësuese të pasojave globale të asaj që ai e quajti “kriza më e madhe energjetike me të cilën jemi përballur ndonjëherë”, e shkaktuar nga ndërprerja e furnizimeve me naftë, gaz dhe burime të tjera jetike përmes Ngushticës së Hormuzit.

“Në të kaluarën ekzistonte një grup i quajtur ‘Dire Straits’. Tani kemi një ngushticë vërtet të rrezikshme (‘dire strait’), dhe kjo do të ketë pasoja të mëdha për ekonominë globale. Sa më gjatë të zgjasë kjo situatë, aq më të rënda do të jenë efektet për rritjen ekonomike dhe inflacionin në mbarë botën,” tha ai.

Sipas Birol, ndikimi do të përkthehet në “rritje të çmimeve të karburanteve, të gazit dhe të energjisë elektrike”.

Dhimbja ekonomike nuk do të shpërndahet njësoj, pasi disa vende “do të goditen më rëndë se të tjerat”. Ai përmendi Japoninë, Korenë, Indinë, Kinën, Pakistanin dhe Bangladeshin si vendet në vijën e parë të krizës energjetike.

“Vendet që do të vuajnë më shumë nuk janë ato që dëgjohen më shumë. Do të jenë kryesisht vendet në zhvillim – vendet më të varfra në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine,” përfundoi ai.