Nga Lorenzo Santucci & Karolina De Stefano “Huffington Post Italia”
Hyrje të reja, lëvizje, spastrime:Vladimir Putin ka ndërhyrë në të gjitha repartet e skuadrës së tij. Pas fitores pa garë në zgjedhjet e mesit të marsit, pritej që presidenti i Federatës Ruse të riorganizonte qeverinë dhe rrethin e tij të brendshëm dhe kështu ndodhi.
Në fakt riorganizimi filloi në një mënyrë brutale 20 ditë më parë, me arrestimin e zv/ministrit të Mbrojtjes Timur Ivanov. Ende sot vazhdojnë lajmet mbi ndjekjet penale në rangjet e larta:në pranga ka përfunduar edhe Juri Kuznecov, kreu i departamentit të personelit të Ministrisë së Mbrojtjes.
Një personazh kryesor, që deri vitin e kaluar drejtoi Drejtorinë e Tetë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe merrej me çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e sekreteve kësaj ministrie. Sipas versionit zyrtar, Kuznecov akuzohet për korrupsion, pasi ka pranuar një ryshfet prej 100 milionë rublash.
Edhe për shkak të rëndësisë strategjike për luftën në Ukrainë, Ministria e Mbrojtjes ka pësuar më shumë ndryshme se të tjerat. Duke filluar nga ministri, Sergej Shoigu, që është zëvendësuar nga ekonomisti dhe zëvendës/kryeministri Andrej Belusov.
Shoigu ka marrë drejtimin e Këshillit të Sigurimit që varet drejtpërdrejt nga Kremlini, anëtarë të të cilit janë njerëzit më besnikë të presidentit. Deklarata e parë të ministrit të ri lidhje me nevojën për të “të qenë përpara”, duke iu dhënë ushtarëve “pajisjet, municionet dhe pajisjet e komunikimit më moderne”, dhe gjithçka tjetër që është e nevojshme për të zhvilluar një “luftë elektronike”.
Në çdo rast siguroi se nuk do të ketë “një mobilizimi të ri”. Deri më sot roli ishte mbuluar nga Nikollaj Patrushev, shumë afër Putinit, e ardhmja e të cilit ishte një pikëpyetje e madhe deri kur u emërua këshilltar i presidentit, me një mandat specifik mbi flotën detare (“Një sektor strategjik dhe kompleks, përvoja e të cilit do të luajë një rol të rëndësishëm, shpjegon Kremlini).
Një post të ri edhe për Aleksej Djumin, një tjetër aleat i ngushtë i presidentit rus, që do të merret me mbikëqyrjen e punës së industrive, një detyrë për të cilën u thërrit posaçërisht nga Rajoni Tula, në jug të Moskës, ku mbante postin e guvernatorit. Mjafton të lexoni historinë e Djumin, dhe do të kuptoni se nuk është një njeri dosido.
Ai ishte në mesin e negociatorëve, që i dhanë fund përparimit të të ndjerit Jevgeni Prigozhin drejt Moskës, duke shfrytëzuar edhe marrëdhëniet e mira midis të dyve. Po ashtu, Djumin ishte njëri prej guvernatorëve që kishin pranuar të nënshkruar apelin ku i bëhet thirrje udhëheqjes së trupave mercenarëve për të ndalur marshimin, edhe pse më vonë u ndërmjetësua një marrëveshje e favorshme, si për milicinë ashtu edhe për Kremlinin.
Në vitin 1995, ndërsa Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë, Djumin kishte hyrë në Shërbimin e Gardës Federale (FSO) dhe mbronte ish-presidentin Boris Jelcin dhe ish-kryeministrin Viktor Çernomërdin. Kur 4 vite më vonë në krye të Rusisë u ngjit Putin, Djumin u bë truproja e tij gjatë dy mandateve të para si president.
“Mëngjesi niste me një relacion tek presidenti mbi raportet operative. Duhet të kisha informacione mbi rajonet, situatat emergjente. Mos harroni, ishte koha e luftës në Çeçeni. Ndonjëherë më duhej të jepja udhëzime tek ministri, t’i caktoja detyra kreut të rajonit”-do të shprehej më vonë.
Në vitin 2012 u emërua zëvendëskryetar i Gardës Presidenciale, dhe 2 vite më vonë bëhet nr.2 i GRU, shërbimit sekret të ushtrisë. Po në vitin 2014 ra në sy gjatë aneksimit të Krimesë. Ajo ishte ndoshta një nga arsyet pse pas një viti u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes.
Ndërkohë për 8 vite ka qenë të krye të Republikës së Tulas – prej nga vjen edhe Shoigu – duke bërë një punë që është vlerësuar nga vetë Putini, që e lavdëroi publikisht në fillim të këtij muaji për rritjen industriale “mbresëlënëse” të rajonit që drejtonte.
Nëse siç u tha më lart lëvizjet ishin të pritshme, mund rezultojë e kotë të rrëmosh nëpër prapaskena, se përse Putinin u nxit të zgjidhte këtë apo atë rolet kryesore të qeverisë ruse. Pa spekuluar si kremlinologët e dikurshëm, është gjithsesi e mundur të përqendrohemi mbi disa elementë të caktuar që kemi në dispozicion.
Së pari, vërehet një dallim i qartë dhe në rritje mes besnikëve ndaj regjimit dhe luftës në Ukrainë dhe “tradhtarëve” (që flaken nga dritaret e ndërtesave të larta), gjë që reflekton një ripërtëritje komplekse të sistemit rus të pushtetit.
Para së gjithash, nëse para luftës një rol të rëndësishëm luanin shpesh oligarkët e lidhur me Putinin nga një e kaluar e përbashkët, shpesh edhe pse jo gjithmonë të përzier me botën e krimit, dhe të vendosur në krye të kompanive strategjitë, tani rrethi i ri i besnik është i ndryshëm dhe të kujton Bashkimin Sovjetik. Pra një makineri tërësisht e shtetëzuar, në të cilën është zbehur shumë roli i oligarkëve, dhe ku gjithçka është vënë në funksion të vazhdimit të luftës.
Së dyti, organet e lidhura me presidentin të kujtojnë Byroja Politike sovjetike, në të cilën besnikët zhvendosen sipas nevojave të regjimit dhe janë të zëvendësueshëm, me përjashtim të rasteve të rralla. Më në përgjithësi, roli i gjithë aktorëve politikë, përfshirë të gjithë guvernatorët (ende zyrtarisht të zgjedhur drejtpërdrejt nga popullsia lokale) është bërë fiktiv: që të gjithë ata pa dallim, janë bërë zbatues të diktateve që vijnë nga qendra.
Në këtë kuadër mund të shpjegohet edhe emërimi i Belusov si Ministër i Mbrojtjes, një njeri që veshi për herë të parë një uniformë ushtarake ditën kur mori detyrën. Megjithatë është një figurë besnike ndaj Putin dhe me një peshë të madhe për ta çuar përpara dhe forcuar ekonominë e luftës.
Zgjedhja e tij në atë post, përkon edhe me rritjen e fondeve të kërkuara nga Putin për ushtrinë, i vetëdijshëm se pavarësisht se në front Rusia është në një pozicion të avantazhuar ndaj Ukrainës, në periudhën afatmesme mund të shfaqen probleme, sidomos në sektorin e zhvillimit të teknologjive të reja.
Nga ana tjetër, janë arrestimet për korrupsion, një shenjë fillestare e pakënaqësisë dhe mungesës së koordinimit. Sa i përket Shoigu, emërimi i tij në krye të Këshillit të Sigurimit nuk është një promovim, por as edhe një ulje në detyrë. Përndryshe do të ishte mënjanuar fare, siç ka ndodhur me të tjerët.
Shoigu konsiderohet edhe sot nga shumë rusë si një administrator i shkëlqyer dhe mund t’i shërbejë ende kauzës së luftës. Ashtu si Dimitri Peshkov, që do të vazhdojë të jetë zëdhënësi i Kremlinit dhe nënkryetar i administratës presidenciale. Në postet e tyre do të mbeten edhe Anton Vaino, kreu i administratës presidenciale i ndihmuar nga Aleksei Gromov dhe Sergei Kirijenko.
Zëvendës të tjerë janë Dimitri Kozak, Magomedsalam Magomedov, Maksim Oreshkin dhe Vladimir Ostrovenko. E vetmja gjë e sigurt në një Rusi, që nga fillimi i luftës ka ndryshuar kaq shumë, është se ndryshimet do të vazhdojnë.