Me firmat e opozitës dhe votat e mazhorancës, si Endri Shabani u bë Avokat i Popullit

“Qingji i urtë, pi dy nëna!” Kjo është shprehja që do i shkonte për shtat asaj që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë.

Në seancën plenare maratonë ku u miratua edhe Buxheti i vitit 2026, Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi edhe Avokatin e Popullit, pas më shumë se 3 vitesh kur ky institucion drejtohej nga një kryetar që i kishte përfunduar mandati.

Kryetari i ri i këtij institucioni do të duhej të zgjidhej nga opozita, por edhe këtë herë Avokati i Popullit është zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës, pasi PD dhe Partia Mundësia nuk kanë marrë pjesë në votim.

Në garë ishin 6 kandidatë: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Endrit Shabani, Skënder Haluci dhe Tartar Bazaj.

Fitues nga votimi doli Endrit Shabani, i cili mori 85 vota Pro dhe 3 Kundër. Mes votave pro, ishte edhe ajo e kryeministrit Edi Rama.

Por si arriti Endri Shabani të zgjidhej Avokat i Popullit?

Ish-kreu i Nismës thurje, i cili kandidoi për deputet në zgjedhjet e 11 Majit por pa arritur të fitonte mandatin, dha dorëheqjen nga forca politike që drejtonte prej vitesh dhe shpalli kandidaturën për postin vakant të Avokatit të Popullit.

Edhe pse para dhe gjatë fushatës elektorale Endri Shabani kishte hedhur akuza ndaj të dyja forcave të mëdha politike, ai arriti t’i bindte të dyja që ta fusnin në garë dhe ta zgjidhnin fitues në fund të votimit.

Fillimisht Endri Shabani arriti të sigurojë 35 vota për të marrë pjesë në garë, vota të cilat ia dhanë deputetët e opozitës. Këta të fundit tentuan më pas t’i tërhiqnin votat për të gjithë kandidatët, duke thënë se kandidatët e propozuar prej tyre ishin vetëm 2: Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.

Pavarësisht se ligji ua lejon tërheqjen e votave, në Kuvend ligji bëhet sipas interesave të mazhorancës. Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, me urdhër të Taulant Ballës, nuk pranoi tërheqjen e votave për kandidatët, duke i hedhur të gjithë emrat për votim.

Gjatë votimit, opozita u largua nga Kuvendi, ndërsa mazhoranca, pasi votoi kundër të gjitha kandidaturat e tjera, ia dha votat pro Endri Shabanit, duke e zgjedhur Avokatin e ri të Popullit.

Tashmë institucioni i Avokatit të Popullit do të ketë një drejtues konform ligjeve, ndërsa opozita tregoi edhe njëherë tjetër se nuk di të përfitojë nga mundësitë e pakta që i ka lënë kjo mazhorancë.

Në fund, Endri Shabani nuk do të jetë as avokat i opozitës dhe as i mazhorancës, por i Popullit, ndaj detyra është vetëm në shërbim të qytetarëve. Detyrë që shpreojmë ta bëjë më mirë se paraardhësit e tij.