Mblidhet Këshilli Bashkiak i Kukësit, vendin e Safet Gjicit e zë “personazhi i tretë” në video-skandal

Është mbledhur sot Këshilli Bashkiak i Kukësit, për herë të parë pas skandalit të publikuar javën e kaluar, me videon e seksit të kryetarit Safet Gjici.

Gjatë mbledhjes së këshillit u prezantua Granit Gjana në detyrën e ushtrimit të funksionit të kryetarit të Bashkisë Kukës. Gjana ishte pjesë e videos së skandalit ku Gjici ia delegonte kompetencat e bisedës me vajzën, zëvendësit të tij.

Gjana u mor në pyetje nga SPAK dhe rezulton të jetë pjesë e dosjes, pasi është personi që merr kontakt me Alma K., duke administruar dokumentacionin e plan-projektit për sterilizimin e qenve të rrugës.

Në mbledhjen e Këshillit sot ka qenë i pranishëm edhe deputeti i PS-së Pandeli Majko, i cili në zgjedhjet e 14 majit ishte drejtues politik i Gjicit.

Kryetari i Këshillit ka nisur fjalën duke u kërkuar falje qytetarëve kuksianë ndërsa tha se bashkia duhet të vazhdojë punën. Por mbledhja është shoqëruar me debate pasi Fasli Gërmizi, këshilltar në këtë bashki  kundërshtoi fjalën e kryetarit, dënoi videon e turpshme të Safet Gjicit dhe kërkoi që të gjithë këshilltarët përfshirë edhe drejtuesit aktual të bashkisë Kukës të japin dorëheqjen.