Për herë të katërt, që kur Sali Berisha ndodhet nën masën “arrest shtëpie”, mbështetës të tij janë mbledhur poshtë banesës së ish-kryeministrit.
Berisha doli në dritaren e banesës së tij duke i përshëndetur me flamurin Kuq e Zi dhe atë të PD-së.
Ndërkohë më herët gjatë ditës, oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar në banesën e Sali Berishës, për të kontrolluar për zbatimin e masës së sigurisë nga ana e ish-kryeministrit.
Policia dhe OPGJ-të u panë sot të hyjnë në derën kryesore të pallatit ku banon Berisha në rrugën “Mustafa Matohiti”.
Kontrolli mësohet se ishte rutinë dhe bëhet për të verifikuar nëse ish-kryeministri respekton masën e sigurisë të “arrestit në shtëpi”, të dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kjo e fundit caktoi masën “arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore për Berishën, ndërsa i ndalohet komunikimi me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjeton.
Ndaj Berishës u vendos masë me e ashpër se “detyrim paraqitje”, pasi nuk e respektoi këtë të fundit. Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.