Mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për vetëdeklarimin e deputetëve nëse kanë përdorur “Sky Ecc”, përplasje Çuçi – Bardhi

Mazhoranca dhe opozita nuk kanë gjetur dakordësinë mbi propozimin e opozitës për vetëdeklarimin e deputetëve nëse kanë përdorur aplikacionin “Sky Ecc”.

Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Bledi Çuçi u shpreh se ky propozim duhet shqyrtuar nga një grup pune, për të mos u bërë populizëm për interesat politike.

“Doja të shprehja qëndrimin e grupit tonë parlamentar, pavarësisht nga çfarë mendoj unë se si ruhet integriteti i deputetit. Nga pikëpamja proceduriale, këtë duhet ta shqyrtojmë edhe në një grup pune sepse janë disa çështje proceduriale që duhen parë. A është kjo çështje Rregullores së Kuvendit apo jo?

A duhet të merret Rregullorja vetëm me një aplikacion se janë disa të tilla? A e afekton kjo Kodin Penal apo jo? Pra, janë disa çështje që duhen shqyrtuar. Le ta shqyrtojë një grup profesionistësh këtë çështje nëse afekton apo jo Kodin Penal. Mund ta përfshijmë te formulari i vetëdeklarimit përpara kandidimit, apo mund të përfshijmë ndoshta dhe kryetarët e bashkive apo njerëzit e sistemit të drejtësisë. Unë personalisht nuk e mendoj kështu, megjithatë le ta bashkojmë me ndryshimet e tjera të Rregullores dhe ta shohim më gjerë këtë çështje. Mënyrën si e keni shkruar këtu propozimin nuk qëndron nga ana kushtetuese. Nuk duhet të bëjmë një ndryshim i cili cenon shumë kollaj nesër deri në Gjykatën Kushtetuese. Nëse duam vërtet një gjë që të adresojë çështjen e pastërtisë së figurës së deputetit, duhet ta bëjmë tamam, jo për populizëm”, tha Çuçi.

Ndërkohë, debate të ashpra pati mes tij dhe Gazment Bardhit, me Çuçin që i tha kreut të grupit të PD-së se duhet të kishte dhënë dorëheqjen që kur Sali Berisha u bë kryetar i Partisë Demokratike, teksa shtoi se Bardhi ishte mësuar me të deklaruar një gjë sot dhe ta mohojë të nesërmen.

Bledi Çuçi: GJK e ka thënë shumë qartë, çdo referim dhe prekje e kodit penal duhet miratuar me 3/5.

Gazment Bardhi: Kur e ka thënë GJK?

Bledi Çuçi: Je jurist, nëse mohon këtë, mohon shkollën që ke bërë. Grise diplomën dhe vazhdo… Mos më ndërpre… Deklarimi i të dhënave të rreme përbën vepër penale. Kjo është përcaktim i pastër penal.

Bledi Çuçi: Je mësuar, një gjë e deklaron sot, e mohon nesër. S’duhet të ishe këtu. Duhet të kishe dhënë dorëheqjen se Sali Berisha u bë kryetar.

Gazment Bardhi: Po ç’punë ke ti se çfarë kam thënë unë për Sali Berishën?

Bledi Çuçi: Është pjesa e integritetit. Ky është një nen që i referohet integritetit të deputetit. Çështjet që lidhen me intetegritetin, referohen në ligjin për integritetin e funksionarit dhe është një ligj që rregullohet me 3/5.