Mandati i Olta Xhaçkës në Kushtetuese? Kuvendi voton sot, mazhoranca nuk ka publikuar ende raportin

Kuvendi do të votojë sot nëse mandati i deputetes socialiste Olta Xhaçka do të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Çështja u dërgua në Kuvend pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve, teksa u bë me dije se do të përgatitej edhe një raport, të cilin mazhoranca nuk e ka publikuar ende.

Kërkesa për shqyrtimin e mandatit të Xhaçkës në Kushtetuese erdhi nga një grup deputetësh opozitarë, pasi Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçkës, mori statusin e investitorit strategjik kur ajo ishte ende në detyrë si ministre.

Gjykata Kushtetuese pranoi kërkesën e opozitës dhe i kërkoi Kuvendit që të shqyrtonte mandatin e Xhaçkës, por për rreth 14 muaj, në mënyrë të pajustifikuar, kjo çështje nuk u fut asnjëherë në rendin e ditës dhe asnjë Komision nuk u mblodh.

Ndërkohë, nuk dihet ende nëse mazhoranca do të lejojë Kushtetuesen të shqyrtojë mandatin e Olta Xhaçkës, apo do të vijojë të mbrojë ish-ministren, bashkëshorti i të cilës është nën hetim nga SPAK për tjetërsim pronash, pronë me të cilën mori edhe statusin e investitorit strategjik.