Malet e Shqipërisë ndahen si copa torte, qeveria ua fal investitorëve strategjikë

Pasi u dha bregdetin investitorëve strategjikë të lidhur me pushtetin, ku një pjesë të mirë e morën edhe vetë njerëz të lidhur shumë ngushtë me ministrat, qeveria ka vendosur të falë të tjera bukuri natyrore të Shqipërisë, këtë herë malet.

“Paketa e Maleve”, një projektligj i lançuar nga qeveria, ka si qëllim të falë zonat malore te të tjerë apo edhe të njëjtë investitorë strategjikë që morën edhe bregdetin.

Sipas këtij projektligji, investitorët strategjikë që do të investojnë në këto zona malore, do t’u bëhet e mundur që ta përfitojnë truallin vetëm për 1 euro. Por nuk mbaron këtu, pasi qeveria ka menduar që t’ua lehtësojë sa më shumë punën investitorëve strategjikë.

Jo vetëm që do të përfitojnë pronën shtetërore për vetëm 1 euro, por ata që realizojnë projektet dhe ushtrojnë aktivitetin e deklaruar, do të përfitojnë për 10 vite përjashtimin nga 4 taksa:

1- Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë – subjektet nuk paguajnë taksë për ndërtimet apo zhvillimet në sipërfaqet e përfituara.
2- Përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme – pronat e përfituara nuk janë subjekt i kësaj takse për 10 vite.
3-  Përjashtim nga TVSH-ja – transaksionet dhe aktivitetet lidhur me projektin përfitojnë përjashtim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
4- Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat – fitimet e realizuara nga aktivitetet në përputhje me projektin e deklaruar nuk janë subjekt i tatimit për periudhën e specifikuar.

Ka disa vite që qeveria nxjerr ligje me radhë për të lehtësuar sa më shumë detyrimet e investitorëve strategjikë, në mënyrë që oligarkët e lidhur me pushtetin të përvetësojnë sa më shumë nga pasuritë e Shqipërisë, për t’i përdorur për përfitime personale.

E nëse për milionerët po bëhen ligje për t’u lehtësuar marrjen e pronave shtetërore, e kundërta ndodh me qytetarët e thjesht, që për të marrë legalizimet e shtëpive të tyre duhet të presin me vite të tëra.

Madje, duke shpresuar që qeveria të mos ua prishë me forcë banesat për të zhvilluar planin urbanistik, siç ndodhi me Unazën e Madhe, që duket të jetë një tjetër dështim i qeverisë, për shkak se nuk e ka lehtësuar aspak trafikun e kryeqytetit.

Pra, Shqipëria po ndahet në copa të vogla për të kënaqur miqtë e pushtetit! Pas bregdetit dhe Sazanit, radha është e maleve, ndërsa nuk dihet se çfarë do të falë tjetër qeveria në vijim.

Projektligji: