Presidenti francez Emmanuel Macron po i bën thirrje Europës të bëhet një fuqi globale.
Ai paralajmëroi se Europa përballet me një “thirrje për zgjim” përballë kërcënimeve në rritje nga Kina, Rusia dhe një SHBA gjithnjë e më e paqëndrueshme. Macron pyeti nëse Europa është gati të bëhet një fuqi në ekonomi, mbrojtje dhe demokraci, duke theksuar se BE-ja duhet të mbrojë dhe investojë në sektorët kyç si siguria, mbrojtja, energjia e pastër dhe inteligjenca artificiale.
Për të arritur këtë, ai kërkoi kredi të bashkërenduara të BE-së (eurobond-e) për të financuar investimet industriale, duke theksuar se ka një kërkesë në rritje globale për alternativa ndaj dollarit amerikan. Macron vuri në dukje se Franca historikisht nuk ka pasur një model ekonomik të balancuar dhe reforma të mëdha, ndryshe nga vendet e veriut të Evropës ose ekonomitë jugore si Portugalia, Spanja, Italia dhe Greqia.
Ai theksoi se Europa duhet të jetë koherente në rregullat tregtare, duke mos vendosur standarde më të rrepta për prodhuesit evropianë sesa për jashtë Evropës. Gjithashtu, ndryshimi i klimës, çrregullimet gjeopolitike dhe fuqitë rivale si Kina e bëjnë të domosdoshme vetë-mjaftueshmërinë e BE-së.
Macron e përshkroi BE-në si një bllok me 450 milionë njerëz me potencial të madh, duke bërë thirrje që evropianët të shohin më shumë se vetëm tregun, dhe të fillojnë të mendojnë si një fuqi.
Për tensionet e fundit me SHBA-në rreth Grenlandës, ai paralajmëroi evropianët të mos jenë të vetëkënaqur, duke theksuar se kërcënimet dhe intimidimi mund të rikthehen edhe nëse Washingtoni duket se tërhiqet.