Gjovalin Shkambi, xhaxhai i Elvis Shkambit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, jo vetëm që nuk shfaq pendesë për krimin që bëri nipi i tij, por ka kërcënuar se gjyqtarët që do të dënojnë nipin e tij, do të përballen me plumba si gjyqtari i ndjerë.
Në një intervistë për mediat, ai u shpreh se ka 13 vite që familja e tij i shkruajnë qeverisë, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga shteti.
“Ata që do të dënojnë nipin tim, do të përballen me këtë gjë. Ata gjyqtarë që do të dënojnë nipin, do të përballen me të njëjtën gjë (vrasje) me plumba. Kemi 13 vite që i shkruajmë kryeministrit dhe të gjithë qeverisë për pronën që kemi blerë. Këta do të kenë të njëjtin shpërblim. Pronën e kemi blerë. Ia kemi blerë shtetit. Nëse dënojnë djalin, të njëjtën gjë do bëjmë. Edhe sikur të jetë Donald Trump, apo Papa. S’ka lojë me ne më”, tha ai.
I pyetur nëse ka qenë në dijeni të asaj që do të bënte nipi i tij, ai e mohoi, teksa shton se do ta kishte ndaluar nëse do ta dinte që Elvisi do të kryente vrasjen.
“Jo nuk isha në dijeni. Se do ta kisha ndaluar. 72 orë më parë kam njoftuar shefin e Komisariatin të Shkodrës dhe kam dhënë informacion se ish-drejtori i Policisë Bashkiake nuk kishte prishur disa objekte”, u shpreh Gjovalin Shkambi.
Ai u shpreh se nuk i druhet hakmarrjes, ndërsa paralajmëroi se tashmë ka nisur lufta.
“Familjes së Astriti Kalasë, i bie në gjunjë. Në mënyrë absolute nuk i druhem hakmarrjes, kemi nisur luftën. Kur të dënojnë atë djalë, në sallë të gjyqit me plumba do të gjykohet. Se më ka prerë në besë shteti. Ia kam blerë shtetit. Nuk ka gjyqtar që e dënon. Do t’i hanë plumbat sikur i hëngri Astrit Kalaja”, tha ai.