Lufta është ende shtytësi kryesor i zhvillimit të teknologjive të reja

Nga Alberto Cantoni “Linkiesta”

Në mars të këtij viti, Britania akuzoi Rusinë për bllokimin e sinjalit satelitor të avionit ku ndodhej Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen Grant Shaps, që po kthehej nga një vizitë zyrtare në Poloni. Rreth një muaj më vonë, disa zyrtarë të qeverisë baltike ngritën alarmin për mundësinë e një katastrofe, pasi një problem i sistemit të navigimit, detyroi kthimin mbrapsht të 2 avionëve të linjës ajrore finlandeze “Finnair”.

Në të dyja rastet, origjina e alarmit ishte e njëjtë:i ashtuquajturi bllokim i qëllimshëm i valëve të komunikimeve në radio, i cili synon të zvogëlojë qartësinë e një sinjali të caktuar. Gjatë dy dekadave të fundit, bllokimi dhe versioni i tij më i sofistikuar, mashtrimi (i cili transmeton një sinjal lokalizimi të rremë), kanë qenë një kompetencë e ushtrive, të cilat kanë shfrytëzuar mjetet e afta për të ndërhyrë dhe parandaluar sulmet me dron apo raketa bazuar në teknologjinë GPS.

Disponueshmëria e gjerë e sistemeve të monitorimit, bëri të mundur “menaxhimin” e problemit për një kohë të gjatë, derisa konfliktet e reja dhe trazirat gjeopolitike që shpërthyen e përkeqësuan situatën. Dy episodet e përmendura më sipër, përfaqësojnë vetëm ‘majën e ajsbergut’.

Sepse nëse hidhni një vështrim mbi një nga hartat e shumta në internet që ju lejojnë të monitoroni përdorimin e këtyre mjeteve (si p.sh gpsjam.org), bëhet i qartë një fakt:rritja e fundit e ndërhyrjeve sistematike në shkallë globale, është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe nga sulmi i ushtrisë izraelite kundër Hamasit në Gaza.

Megjithatë, veprimet ushtarake kanë shpesh pasoja edhe mbi popullsinë civile. Lufta moderne e GPS – siç e përkufizoi Financial Times – ka një ndikim negativ në jetën e përditshme të njerëzve, duke i futur në krizë aplikacionet në smartfonët e tyre, por edhe sistemet e navigimit të mjeteve të transportit civil.

Në Izrael, Jordani dhe Liban, ndërhyrja e shtuar e ka vështirësuar përdorimin e aplikacioneve për ushqime, takime në internet dhe udhëtime me taksi. Ndërkohë organizata si “Mjekët pa Kufij”, kanë raportuar se problemet e vazhdueshme të lidhjeve online, kanë sjellë pengesa të përpjekjeve për shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza.

E njëjta gjë vlen edhe për transportin detar, sidomos për trafikun ajror. Ndërsa është tepër e vështirë të përcaktohet saktësisht origjina e këtyre veprimeve, është e sigurt se Rusia, Irani dhe Izraeli po i përdorin gjerësisht mjetet që manipulojnë pajisjet.

Në mars, Libani njoftoi se do të paraqiste një ankesë urgjente në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të problemeve të vazhdueshme në komunikim brenda kufijve të saj, të shkaktuara nga ndërhyrjet e izraelitëve. Ndërkohë, në mbarë botën janë duke u zhvilluar sistemet e navigimit alternativ ndaj GNSS (një term më i gjerë që përfshin gjithashtu GPS).

Këto të fundit, duke vepruar në brezat e përbashkët të frekuencave dhe duke funksionuar me intensitet të ulët, mbeten në thelb të pambrojtura. Një shembull për këtë është eLoran, një sistem navigimi radio me bazë tokësore, që nuk ka pasur asnjëherë ndonjë përhapje në shkallë  komerciale, por që në kontekstin aktual mund të ofrojë zgjidhje për problemin.

Përhapja e sistemeve alternative, do të sillte një ndryshim të situatës jo vetëm në sektorin ushtarak, por për shoqërinë në tërësi. Përdorimi i sistemeve GPS brenda telefonave inteligjentë, revolucioni që ndodhi me përhapjen e gjerë të këtyre të fundit dhe me shpikjen e hartave të Google në vitin 2005, e kanë ndryshuar rrënjësisht botën tonë.

Por tani diçka mund të ndryshojë sërish. Dhe nuk është asgjë e re:Ju pëlqen apo jo, kërkimi nga ushtritë ka prodhuar disa nga gjërat më të jashtëzakonshme të kohës sonë. Pavarësisht nga arsyet – shpeshherë dramatike – prapa këtyre arritjeve, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në një periudhë pasigurie globale, përfaqëson gjithmonë një katalizator për inovacione teknologjike.

Slogani historik i serialit të video-lojërave “Fallout” (i cili është bërë më i famshëm se kurrë falë serialit të fundit televiziv) thotë: “Lufta nuk ndryshon asnjëherë”. Dhe është e vërtetë, sepse natyra cinike e konflikteve njerëzore ka qenë gjithmonë e njëjta.

Megjithatë, në të njëjtën kohë është e sigurt të thuhet se çdo garë e madhe për epërsi, ka sjellë me vete ndryshime epokale për shoqërinë. Për shembull GPS u shpik në vitin 1973 në mesin e Luftës së Ftohtë, për t’u dëshmuar thelbësor gjatë Luftës së Parë të Gjirit në vitet 1990.

Pa lënë mënjanë Arpanet, paraardhësin e internetit, të krijuar nga një agjenci e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, apo vetë kompjuterin, i shpikur gjatë Luftës së Dytë Botërore falë gjenialitetit të Alan Turing.

Edhe furra me mikrovalë, super-ngjitësi apo kafeja në bustina (e cila ishte praktikisht e panjohur para vitit 1938), ia detyrojnë përhapjen e tyre konteksteve të luftës. Motorët modernë të avionëve, të zhvilluar gjatë viteve 1939-1945, u bënë të njohur gjatë muajve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, duke i dhënë pilotëve një avantazh të dukshëm ndaj kundërshtarëve.

Sot ata përdoren nga linjat ajrore për të transportuar pasagjerë në mbarë botën. Pas pushtimit rus të Ukrainës, vende si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, i rritën menjëherë buxhetet e tyre të mbrojtjes. Në nëntor 2022, britanikja “The Economist”, shkruante se një pjesë e fondeve të ardhura nga rritja prej 5 për qind e shpenzimeve në sektorin amerikan të mbrojtjes, do të ndahen “për buxhetet e kërkimit dhe zhvillimit, të afta të prodhojnë teknologji të reja revolucionare”.

Rritje ka pësuar edhe sektori i teknologjisë në Ukrainë, pavarësisht bombardimeve dhe krizës humanitare. Nëntë muaj pas fillimit të pushtimit rus në shkallë të gjerë, të ardhurat nga eksporti i teknologjisë së Kievit arritën një rekord prej 5.5 miliardë dollarësh, ose 13 për qind më shumë nga e njëjta periudhë e vitit 2021.

Njëkohësisht, përdorimi intensiv i dronëve ushtarakë, ka shkaktuar një rritje në tregun global për këto pajisje, të cilat sipas të dhënave të revistës biznesit “Fortune”, do të arrijnë nga 13.3 miliardë euro në vitin 2023 në 33.4 miliardë deri në vitin 2030.

“Çdo sistem alternativ për dromët i ndërtuar para vitit 2019 është tashmë i vjetruar – thotë James Acuna, anëtar i rrjetit evropian të investitorëve të mbrojtjes.” Tregu i mjeteve ajrore pa pilot do të evoluojë, dhe Ukraina është në ballë të këtij ndryshimi të rëndësishëm në sektorin ushtarak”-thekson ai.