Nga Jane Bradley “The Scotsman”
Në një park në qendër të kryeqytetit serb Beograd, dhjetëra kioska prej druri të pozicionuara anash rrugicave shesin dhurata të ndryshme si bluza, mbajtëse çelësash, pjata filxhanësh dhe kupa. Megjithatë, përkrah imazheve kombëtare serbe dhe modeleve tradicionale të artit popullor, disa nga produktet artizanale përshkruajnë fytyrën e presidentit rus Vladimir Putin.
“Në Serbi ekziston patjetër ndikimi i Rusisë”- thotë dr.Aleksandër Mesaroviç, lektor në Shkollën e Firences për Qeverisje Transnacionale.“Serbia dhe Rusia kanë një komunikim të dendur me njëra-tjetrën”-shton ai.
Deputetët debatuan të enjten e javës së kaluar në Uestminster, parlamentin britanik, mbi potencialin e paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, për të cilin Alisha Kerns, kryetare e Komitetit të Çështjeve të Jashtme, paralajmëroi se nëse nuk ndërmerret një veprim ndërkombëtar parandalues, mund të shndërrohet në burimin e fillimit të “luftës së tretë botërore”, së bashku me Ukrainën dhe Gazën.
Disa ekspertë kanë paralajmëruar se Rusia mund të motivohet, për të nxitur enkas një “konflikt në shkallë të vogël” në Ballkan, për ta shkëputur vëmendjen nga lufta e saj në Ukrainë. Rajoni i Ballkanit nuk është i panjohur me konfliktet, pasi ka përjetuar një sërë luftërash që shpërthyen gjatë viteve 1990.
Konfliktet e atyre viteve shkaktuan vdekjen e rreth 130.000 njerëzve – shumë prej tyre civilë – dhe shpërnguljen e më shumë se 4 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre. Ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka mbajtur një qëndrim publik që përfshin të gjitha kampet, lidhjet e gjata të Serbisë me Rusinë u përforcuan shumë kur Moska ndërhyri në vitin 1999 për të kundërshtuar sulmet ajrore 78-ditore të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, në atë kohë president i Federatës Jugosllave.
Sulmet, të cilat synonin ndalimin e vrasjeve dhe zhvendosjen e detyruar të shqiptarëve të Kosovës, vranë dhe plagosën edhe qindra civilë serbë. “Nëse shëtisni sot nëpër Beograd, do të shihnin ende ndërtesa të shkatërruara. Njerëzit i kujtojnë mirë ato kohë. Serbia ndjen ende se është tradhtuar nga Perëndimi”-thotë Mesaroviç.
Në Bosnjën fqinje, Milorad Dodik, lideri i Republika Srpska (RS), një territor i pavarur brenda Bosnje Hercegovinës i formuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ka zhvilluar 4 takime me Vladimir Putinin që nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe i ka dhënë presidentit rus çmimin më të lartë të rajonit autonom, Medaljen e Nderit për “shqetësimin dhe dashurinë patriotike” që ai ka shfaqur për Republikën Srpska.
Në fjalën e tij mbi Ballkanin Perëndimor në Universitetin e Edinburgut, Mesarivç kujtoi edhe ditët e para të pandemisë së Covid-19, kur pajisjet mbrojtëse personale iu dhanë Serbisë nga Rusia dhe Kina, dhe jo vendet e BE-së.
“Politika e Perëndimit në atë kohë ndaj Serbisë ishte vërtet e dëmshme. Në terma afatgjatë, BE-ja ofroi shumë më tepër mbështetje. Por në ditët e zymta të marsit dhe prillit 2020, në publik bënë më shumë përshtypje avionët kinezë dhe rusë, që sillnin maska dhe furnizime mjekësore për Serbinë, ndërsa BE-ja nuk po bënte asgjë. Edhe ky kujtim ka peshën e vet”-theksoi ai.
Presidenti kinez Xi Jinping, do të vizitojë Serbinë këtë javë. Ambasada e Kinës u bombardua gjatë sulmeve të NATO-s në Serbi të vitit 1999, duke krijuar një lidhje të ngushtë midis 2 vendeve kundër forcave aleate. Por Mesaroviç nuk beson se ndjenja pro-ruse është mjaftueshëm e fortë, që Serbia të nxitet të ndërmarrë veprime ushtarake konkrete.
Ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, duke e bërë vendin e tij një strehë të sigurt për biznesin rus, si dhe për rusët që kanë vendosur të jetojnë jashtë vendit për të shmangur rekrutimin ushtarak dhe luftuar në Ukrainë, ai ka theksuar nga ana tjetër se nuk është kundër vendeve që u shet municione, të cilat më pas dërgohen në Ukrainë.
“Unë mendoj se në Serbi ka një grupim të madh njerëzish që e mbështetin Rusinë, Putinin dhe aktivitetet e tij anti-perëndimore. Por a do të thotë kjo se njerëzit në Serbi do të ishin të gatshëm të vdisnin për Putinin? A do të thotë kjo se ushtria serbe do të pushtojë Kosovën, vetëm sepse kjo do të ishte disi e dobishme për Rusinë? Unë jam skeptik për këtë”- thekson eksperti.
Kosova vazhdon të pengohet nga Serbia. Edhe pse shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, një lëvizje që është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, Serbia dhe Rusia nuk e njohin atë si të tillë, dhe Beogradi pretendon se Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë.
Megjithatë, ky vend ka hyrë tashmë në bisedime për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, duke sinjalizuar një marrëdhënie më të ngushtë me vendet perëndimore. Anasjelltas, ka ngecur edhe procesi i pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ajo aplikoi për t’iu bashkuar bllokut në vitin 2009, dhe është kandidate për anëtarësim që nga viti 2012, por vitet e fundit është dobësuar mbështetja e opinionit publik. Dr.Gëzim Krasniqi, lektor mbi nacionalizmin në Universitetin e Edinburgut, beson se edhe një vatër zjarri shumë e vogël, e ndezur nga Rusia, mund të shkaktojë një konflikt lokal serioz. “Problemi është se nga njëra anë, Serbia është pjesë e proceseve integruese evropiane. Ndërsa nga ana tjetër, qeveria serbe po investon shumë në ushqyerjen e ndjenjës së mbështetjes për Federatën Ruse, si dhe për fajësimin e Perëndimit për çdo gjë që shkon në drejtim të kundërt me atë që ata mendojnë se është interesi kombëtar i Serbisë”- shprehet ai.
Një çështje shumë e diskutuar kohët e fundit, është një projekt-rezolutë e Kombeve të Bashkuara, që përcakton 11 korrikun si një përkujtim vjetor i gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995 kundër myslimanëve boshnjakë.
Atë ditë forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiç, masakruan 8.372 burra dhe djem myslimanë boshnjakë. Ndërkohë në shtator të vitit të kaluar, militantët serbë nisën një sulm ndaj policisë së Kosovës. Këta të fundit u kundërpërgjigjën ndaj një situate ku automjetet pa targa të vlefshme – një burim prej kohësh i tensioneve në rritje mes Kosovës dhe Serbisë – po bllokonin një urë në Banjskë.
“Situata është shumë komplekse, dhe përshkallëzimi i saj kërkon vetëm një shkas të vogël. Në rajon dominon ndjenja se komuniteti ndërkombëtar nuk ka ushtruar mjaftueshëm presion ndaj Serbisë për të vendosur para përgjegjësisë autorët e sulmit.
Por akoma më shqetësues, është fakti që personat që qëndrojnë pas sulmit, kanë lidhje të ngushta me disa nga institucionet e sigurisë në Serbi, të cilat nga ana e tyre kanë lidhje me elementë të caktuar brenda Federatës Ruse.
Duke pasur parasysh atë që po ndodh diku tjetër, veçanërisht në Ukrainë, mendoj se ekziston frika se Rusia mund të jetë shumë e interesuar që të nisë një konflikt në shkallë të vogël në Ballkan, që do të shpërqendronte Bashkimin Evropian dhe fuqitë perëndimore”-shprehet Krasniqi.