Lirohet nga burgu Alda Klosi, u dënua dy javë më parë për 500 mijë eurot e pajustifikuara

Ish-zyrtarja, Alda Klosi e cila u dënua me dy vite e gjashtë muaj burg  nga Gjykata e Tiranës, dy javë më parë, është liruar sot nga burgu.

Ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke bërë që dënimi të zbritej në 20 muaj burg. Duke llogaritur kohën e paraburgimit, ish këshilltarja e Arben Ahmetajt ia ka dalë të lirohet. Ndërkohë pas lirimit ajo do të qëndrojë në arrest shtëpie për akuzën e dytë të pastrimit të parave, derisa prokuroria të vendosë pas afatit që i la gjykata.

Klosi u arrestua në shkurt të 2021, pasi denoncoi pastruesen se i kishte vjedhur para.

Në banesën e pastrueses së saj u gjet një shumë parash prej 500 mijë eurosh, të cilat Klosi nuk i justifikonte me burime të ligjshme.

Gjykata po ashtu dënoi me 7 vite burg, pastruesen Rozeta Dobi dhe me 5 vite djalin e saj, Havier Dobi. Të tre të dënuarit përfituannga gjykimi i shkurtuar, duke bërë që dënimi t’i ulet me 1/3. Si rezultat ish zyrtarja u lirua, pastruesja do të bëjë 4.8 vite burg, ndërsa djali i saj 3 vite burg.