Pak ditë më parë shqiptarët në të gjithë botën festuan fitoren e Kombëtares 0-1 në Serbi, teksa sot do të bëhen të gjithë bashkë në Tiranë, këtë herë për të protestuar kundër mbajtjes në burg të ish-krerëve të UÇK-së.
Nën moton “Liria ka emër”, në Tiranë do të zhvillohet protesta e tretë e organizuar nga veteranët e UÇK-së, që pritet të mbledhë dhjetëra mijëra shqiptarë në kryeqytetin e Shqipërisë. Protesta do të zhvillohet në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”.
Nga Kosova pritet të nisen të paktën 60 autobusë, ku veteranët e UÇK-së do ta kenë udhëtimin falas, të paguar nga Komuna e Prishtinës, ndërsa në protestë do të marrin fjalën ish-Presidenti Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Për ditën e sotme do të jetë pa pagesë edhe “Rruga e Kombit”, për të lehtësuar ardhjen e të gjithë shqiptarëve që kanë dëshirë të bashkohen në këtë tubim në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që mbahen padrejtësisht prej 5 vitesh në paraburgimin e Hagës.
Në Tiranë pritet të vijnë shumë politikanë të Kosovës dhe jo vetëm, ndërkohë që protesta ka sjellë jo vetëm bashkim, por edhe përçarje.
Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë, teksa në një postim në rrjetet sociale sulmonte kryeministrin Edi Rama se ka qenë lobuesi më i madh i Gjykatës Speciale, që sot mban në burg ish-liderët e UÇK-së.
Edhe vetë Rama nuk do të jetë i pranishëm në këtë protestë, ashtu si kryedemokrati Berisha, ndërkohë që grupi parlamentar i PS-së do të jetë në shesh, siç e konfirmoi Taulant Balla. Nga opozita deri më tani vetëm Fatmir Mediu e ka konfirmuar pjesëmarrjen.