Lindita Nikolla distancohet nga shkopi i bejsbollit dhe të shtënat me armë: Dënoj ngjarjen ku u përfshi efektivi i Gardës

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, ku efektivi i Gardës dhe njëkohësisht shoqëruesi i saj, Marrin Nikolli, dhunoi me shkop bejabolli dhe përdori armën e shërbimit ndaj një qytetari.

Ajo është distancuar nga kjo ngjarje dhe ka përgëzuar Policinë e Shtetit për reagimin, teksa thotë se solidarizohet me familjen Kaçi dhe i siguron se institucionet do t’u ofrojnë mbrojtjen që parashikim ligji. 

“Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës  së Republikës (që nga viti 2006) Martin  Nikolli është e dënueshme. 

Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot. 

Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji”, shkruan Nikolla.