Për rreth 5 orë ka zgjatur mbrotja e ish Ministrit Lefter Koka në GJKKO, përsa i përket aferës së inceneratorit të Elbasanit. Avokati Julian Mërtiri deklaroi se klienti i tij është i pafajshëm për 3 akuzat, shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale. Mërtiri deklaroi se Koka thjesht ka zbatuar vendimin e Këshillit të Ministrave.
Sipas tij, ka qenë komisioni që është ngritur me përfaqësues të shumë ministrive dhe pushtetit lokal që ka vendosur për dhënien e koncesionit, ndërsa Koka ka firmosur thjesht vendimin e qeverisë. Sipas avokatit nuk ka asnjë provë që implikon klientin e tij në përfitime të paligjshme për favorizim në dhënien e koncesionit. Në mbrojtjen me më shumë se 100 faqe, Mërtiri kërkoi lirimin e Kokës për shkak të moshës, për arsye se ka probleme të shëndetit, është baba i 3 fëmijëve dhe mbahet prej shumë kohësh në paraburgim. Avokati tha se gjendja e tij është rënduar më paraburgim dhe se burgu ku ndodhet nuk garanton kushtet për gjendjen e tij shëndetësore.
Ai gjithashtu kërkoi heqjen e sekuestros, sepse nuk ka shpërdorim detyre e për rrjedhoje nuk ka pastrim të produkteve të veprës penale. Sipas tij, kantina Skëndërbeu ka vlerë shumë herë më të lartë sesa shuma prej 2.6 milionë euro që SPAK thotë se ka përfituar Koka. Prandaj ai kërkoi lirimin e pasurive, të cilat sipas tij janë përfituar përpara kohës se të bëhej ministër.
Por vetë ish-ministri Lefter Koka ka hedhur akuza ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, të cilin e akuzon si fajtorin që ai ëhstë në burg. Koka thotë se Meta “rrinte mejhaneve dhe thoshte se do të më fusë në burg”.
Deklarata e Lefter Kokës në GJKKO:
Një e vërtetë e thënë përgjysëm është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi LSI dhe për 2 vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, Sekretari përgjithshëm dhe Komisioni kemi zbatuar me përpikmëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Eshtë kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time! Akuza e prokurorisë është idiote! Kam hyrë në politikë si biznesmen dhe s`më bëri politika biznesmen.
Po kthehemi 45 vite para në proçeset e stisura të sistemit komunist. Eshtë një alarm jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërine. Ky proçes është i manipuluar fund e krye , besoj se e vërteta do të triumfoj. Nuk ekziston asnjë kontakt ose njohje me pronarët e inceneratorëve, ato nuk i solla unë por erdhën si propozim nga bota e biznesit. Prokurori devijoi hetimet dhe fraksionojë dosjen për të mos zbuluar të vërtetën. Drejtësia më herët sesa vonë do të dalë.
Intriga e këtij proçesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për ti qëndruar besnike kallëzimit të LSI. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt.
Referuar Ilir Metës:
Kjo është e situatë nga Presidenti me fallxhoren e tij, i cili duke ndenjur mejhaneve thoshte do ta fus në burg.