Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë rikthehen sot në Kuvend për nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Mësohet se punimet e sesionit të ri parlamentar do të nisin me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në orën 11:00, që do të shqyrtojë kalendarin dhe programin e punës për 5 javët në vijim, ndërsa në orën 17:00 deputetët do të mblidhen në seancë plenare.
Disa reforma kyçe janë ende në pritje. Dy nga ato që socialistët i kanë konsideruar si më urgjente janë reforma zgjedhore dhe ajo territoriale, të cilat duhet të mbyllen para korrikut të këtij viti.
Sipas agjendës së bërë publike në faqen e Parlamentit, seanca plenare do të hapë punimet me diskutime nga kryetarët e grupeve parlamentare, miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar dhe njoftime të ndryshme, sipas rendit të ditës të miratuar nga Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.
Kjo seancë, pritet të shoqërohet sërish me tensione, për shkak të çështjes “Balluku”. Zv.kryeministrja është marrë e pandehur nga SPAK, me këtë të fundit që i kërkon leje Kuvendit për arrestimin e saj.
Këshilli i Mandateve për imunitetin e Ballukut do të mblidhet më datë 28 janar, teksa seanca publike në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet më 22 janar.