Pas pamjeve makabre ku tregohet dhuna ndaj dy kushërinjve, ka reaguar njëri prej tyre i cili ndodhet edhe në gjendje më të mirë shëndetësore. Sipas Jashar Majës, kushëriri që u rrah brutalisht është në gjendje të rëndë dhe e kanë dërguar në një spital privat.
Ai ka treguar se si kishin lënë takim me inxhinierin e gurores dhe po flisnin me të në një kafene në autostradë, duke i kërkuar të ulnin rendimentin e minave, pasi po iu shemben shtëpitë.
“IJemi ulur në kafe të tre dhe nuk ka zgjatur asnjë minutë, kanë ardhur ata Rrajat. Na kanë goditur me shkop gome, me tyta armësh. Kanë pasur armë se thonë nuk kanë pasur. Ne kemi dhe video të tjera, ku duken komplet çunat. Ka qene Xhelali, Përparimi, Flamur Rraja, kemi njohur shumë.Kemi marrë policinë në telefon pasi kanë ikur ata. Kam tërhequr çunin e xhajës zvarrë dhe kam dal në rrugë. Policia erdhi pas dy orësh. Ka ardhur një patrullë që ishte më afër dhe ka ardhur për dy orë. Na kanë shoqëruar në Komisariatin e Fushë Krujës dhe më pas në Spitalin Ushtarak. Gjendja është shumë keq. Ka dal nga spitali ushtarak dhe e kemi çuar në një spital më të specializuar privat. Unë kërkoj drejtësi nga shteti, nëse nuk vepron, nuk ia fal Xhelal Rrajës. Kam vetëm tre vjet që kam hyrë në shtëpi dhe instalimet i kam akoma pa vënë”, u shpreh Jashari.
Ndërkohë policia ka nxituar të thotë se gurorja ishte me leje, ndërsa ditën e djeshme i ka shoqëruar anëtarët e fisit Rraja. Vetëm sot pas publikimit të pamjeve, disa prej tyre janë vënë në pranga ndërsa 3 të tjerë janë në kërkim. Mes tyre është Xhelal Rraja, 65 vjeç i cili i mban të drejtuar armën burrit që dhunohet.