Në një vend ku djersa është ende valuta më e ndershme, kryeministri i qeverive të skandaleve na paska parë burrat shqiptarë si “çyrykë”.
“Llogaria është shumë e thjeshtë, nëse ne kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma e burrave, se kjo jetë në këtë vend më ka mësuar që gjysma e burrave janë normal në këtë vend, gjysma janë çyrykë”, tha ai.
Edi Rama, që në 12 vite ka parë t’i arrestohen më shumë njerëz të afërt se sa kilometra rrugësh të shtruara, i quajti burrat shqiptarë “çyrykë” para qindra grave në Dibër, të detyruara të mblidhen e të duartrokasin me siklet kur shefi i qeverisë u ofendon burrat.
Kur Erion Veliaj i quajti djemtë shqiptarë “zdromsa”, Rama e kritikoi edhe publikisht, por disa vite më vonë bëri të njëjtën gjë si ai që sot ëhstë prpa hekurave, duke fyer burrat shqiptarë.
Po mirë zoti kryeministër, “çyrykë” janë burrat shqiptarë?
Këta “cyrykë” që ndërtuan shtëpitë e këtij vendi me duar të çara. Këta burra, pa ndihmën e askujt, mbajnë familjen në këmbë me tri punë në ditë, por deri dje askush nuk i quajti ata “cyrykë”.
Po çfarë është një burrë shqiptar, zoti Rama?
A është ai që ngrihet para se të zbardhet për të kapur urbanin e parë, apo ai që shkon në emigrim me zemër të ndarë më dysh, vetëm që fëmijët të kenë më shumë se buka me sheqer që njohu ai vetë? A është ai që shkon treg më treg me shpresën për të gjetur disa perime më të lira se nuk i dalin lekët, apo ai që bën sikur nuk ka uri që të hanë fëmijët?
Ironia është se këta “çyrykë”, që s’i gjeni nëpër panaire e as në TikTok, janë pikërisht ata që ju votojnë. Ata që mbajnë mbi supe jo vetëm qesen e pazareve, por edhe gjithë barrën e një shteti që shpesh i harron. Ata që nuk kanë kohë për konferenca shtypi, por që i shikon çdo ditë duke bërë beton, në bujqësi, në emigracion, në çdo qoshkë të ekonomisë së këtij vendi.
Herën tjetër, kur të ndiheni i frymëzuar nga metaforat, mos e ulni burrin shqiptar në nivelin e fyerjes. Se ai burrë që e quani “çyryk”, nesër mund të jetë pikërisht ai që do t’ju hapë rrugën në mes të shiut, duke punuar në rrugët e këtij vendi, ose ai që ju pret në aeroport kur ktheheni nga samitet.
Se në fund të fundit, edhe ai “çyryku” është një njeri që s’ka patur asnjëherë luksin të vishet me fjalë, por e ka pasur gjithmonë nderin të vishet me punë.