29 Prill, 2022. Në Parlamentin e Shqipërisë po zhvillohej një debat i fortë për një vendim të shpejtë të Gjykatës Kushtetuese që përjashtonte rolin e Parlamentit, në momentin e votimit të qeverisë “Majko2”. Pak kohë më herët ishte shkarkuar qeveria Meta pas debateve të ashpra midis kryeministrit socialist të kohës Ilir Meta dhe kryetarit të PS-së Fatos Nano. Kriza vinte për shkak të aleancës fluide ndërmjet Ilir Metës dhe Sali Berishës në opozitë, të cilët po përpiqeshin të vinin në presion kryesocialistin Fatos Nanon për të bllokuar miratimin në parlament të qeverisë kalimtare të Pandeli Majkos. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i marrë brenda 24 orësh do të rrëzonte pretendimet e opozitës por vendimi do të cënonte në mënyrë flagrante pavarësinë e institucionit të parlamentit.
Për këtë arsye, Namik Dokle do të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit të parlamentit duke bërë një deklaratë shumë të rëndë:
“Natyrshëm lind pyetja: Pse ndodhin këto dhe pse pikërisht në këto momente? Gjithsecili ka një shpjegim individual dhe çdo shpjegim i tillë është i pamjaftueshëm, por sidoqoftë komplementar. Unë do të kufizohem vetëm duke u treguar titullin e një libri dokumentar të shkruar nga nobelisti i famshëm Gabriel Garsia Markez, që siç e dini është nga Kolumbia, “Lajmi për një sekuestro”, titullohet libri dhe tregon sesi baronët kolumbianë të drogës sekuestruan gazetarë e politikanë, gjykatës e priftërinjë, balerina e ministra. Dikush po përpiqet të na sekuestrojë edhe ne, të dashur kolegë deputetë, të sekuestrojë parlamemtarizmin, të sekuestrojë Kushtetutën e Republikës, të sekuestrojë aspiratat tona për demokraci. Kjo dorë duhet të ndalet. Në radhë të parë kjo gjë i takon Kuvendit të Shqipërisë, prandaj sot unë po jap dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Kuvendit për të mbrojtur në mënyrën më modeste dinjitetin e Kuvendit dhe për të shmangur çdo rrezik të krizës midis institucioneve”, thoshte Dokle.
Fjalimi i plotë
Namik Dokle i drejtohet Kuvendit
29.04.2002
Të nderuar kolegë deputetë,
Po dal përpara jush për herë të fundit si kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të cilin pata nderin ta kryesoj që nga 4 shtatori i vitit 2001. E bëj këtë jo për të luajtur heroin, as për t’u paraqitur përpara jush dhe opinionit publik si viktimë, nuk e bëj këtë as për të paguar ndonjë bast të ulët me atë që ende quhet Gjykatë Kushtetutese, por një arsye dhe vetëm një më detyron të vij drejt këtij vendimi dhe kjo është ruajtja e dinjitetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe mbrojtja e moralit të tij.
Ngjarjet që kanë ndodhur e kanë cenuar rëndë këtë dinjitet dhe në moralin tim, besoj se nuk jam i gabuar, është kultivuar parimi se i pari së cilit i takon ta mbrojë dinjitetin e një institucioni kur ai sulmohet padrejtësisht është kryetari i tij. E bëj këtë për t’u treguar togave të zeza dhe të tjerëve se pushteti është i përkohshëm, ndërsa morali është i përjetshëm.
Dikujt mund t’i tingëllojë pak absurde, e di, por absurditeti nuk buron së brendshmi, ai është imponuar së jashtmi. Absurditeti vjen nga detyrimi për të zbatuar vendimet e togave të zeza edhe atëherë kur ato nuk janë të drejta, edhe atëherë kur ato janë sponsorizuar nga politika dhe baronët e saj ose nga baronë të tjerë më të fuqishëm dhe ju e dini që ne kemi pranuar edhe atë lloj vendimi, për të cilin edhe nxënësit e fillores do të na konsideronin, së paku, të paditur. Kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për neglizhimin e afatit 10-ditor për shqyrtimin e dekreteve për emërim dhe shkarkim ministrash, të përcaktuara në mënyrën më të qartë në nenin 98 pika 2 të Kushtetutës, ndërsa sipas togave të zeza numri 10 mund të jetë edhe 11 edhe 111. Në kokat e tyre paska një sistem tjetër numërimi. E ç’rëndësi ka kjo për togat e zeza? Duhej rrëzuar Qeveria e Ilir Metës dhe ata, si çifuti, konkluduan se një edhe një mund të bëjnë edhe tre. Sipas kësaj logjike të palogjikshme, afatet kushtetuese janë nul dhe Parlamenti që ka mandat 4-vjeçar mund të rrijë edhe 5 vjet. Presidenti që ka mandat 5-vjeçar mund të rrijë edhe 7 vjet. Natyrisht ata, togat e zeza, mund të rrijnë edhe përjetësisht. Më tej, në votëbesimin e Qeverisë Majko, duke traumatizuar situatën, ata na çuan në një absurd tjetër. Morën guximin të pezullojnë edhe Parlamentin, duke treguar analfabetizëm të plotë në leximin e nenit 1 të Kushtetutës: “Shqipëria është Republikë Parlamentare” dhe të nenit 2 të saj: “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij”. Tani arrin kulmin. I japin urdhra Kuvendit sesi të punojë, si të sillet, si të marrë frymë, si ta zbatojë dhe ta interpretojë Rregulloren e vet, e veshin këtë urdhër me gjoja kushtetueshmërinë, kur e gjithë çështja ka të bëjë me Rregulloren dhe jo me Kushtetutën, madje arrin deri aty sa t’i rekomandojnë Kuvendit edhe metodën e punës së një gjykatë, ciladoqoftë ajo. Duke u rrekur ta bëjnë këtë, nga megallonamia ose nga padia, zoti hetues, bien edhe brenda. Bien brenda, sepse kur ka vakuum Rregullorja, i vetmi organ që vendos sesi mund të procedohet është Kuvendi dhe në këtë rast Kuvendi ka vendosur tri herë, në seancat e datës 4, 7 dhe 18 mars po me të njejtën frymë, po me të njejtën qartësi.
Për sa i takon Kushtetutës, dua të nënvizoj një parim themelor, të sanksionuar në nenin 4 pika 3: “Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe”. Për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm ka vetëm një nen, neni 149 pika 2. Ky nen është zbatuar në mënyrën më adekuate, drejtpërsëdrejti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Të gjitha të tjerat janë sofizma që nxjerrin në reliev marrëdhënie të dyshimta në labirinthet politiko-juridike, labirinthe që i kthejnë zyrat me kokë poshtë, e thënë troç, që legjislativi të bëhet gjyqësor dhe gjyqësori të bëhet legjislativ. Absurditeti më i madh kushtetues i asaj që ende quhet Gjykatë Kushtetuese arrin deri aty sa të japë interpretim identik për tri nene të Kushtetutës, ndërkohë që ato kanë objekte të ndryshme, dhe për pasojë ndjekin parime të ndryshme. Konkretisht bëhet fjalë për nenin 128, 140 dhe 149. I pari për shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, i dyti për anëtarin e Gjykatës së Lartë dhe i treti për Prokurorin e Përgjithshëm. Në të trija rastet është e drejta e Kuvendit të vendosë e të propozojë shkarkimin, por mënyra e shkarkimit dhe mbrojtja kushtetuese pas shkarkimit ndryshojnë kryekëput.
Së pari, në rastin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të anëtarit të Gjykatës së Lartë vendimi në Kuvend merret me 2/3 e votave, ndërsa për Prokurorin e Përgjithshëm votimi është i thjeshtë.
Së dyti, në rastin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të anëtarit të Gjykatës së Lartë, vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra të anëtarit qoftë të Gjykatës Kushtetuese, qoftë të anëtarit të Gjykatës së Lartë. Për të dyja gjykatat formulimi është i njejtë pikë e presje. Krejt ndryshe është shprehur Kushtetuta për Prokurorin e Përgjithshëm, i cili mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kuvendit, pra, duket shumë qartë se Gjykata Kushtetuese nuk ka hapësirë kushtetuese për të ndërhyrë në procesin e emërimit dhe shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Çuditërisht Gjykata Kushtetuese këto parime krejt të veçanta i ka futur në një thes. Mbetet vetëm të pyesim: Është prokurori në thesin e gjykatës apo gjykata në thesin e prokurorit?
Për sa i përket teorizimeve të Gjykatës Kushtetuese për të drejtat e njeriut, ato marrin përgjigje nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Starsburg, e cila me precedencën e gjykuar, nuk e konsideron shkelje të së drejtës së njeriut uljen ose ngritjen në përgjegjësi të një zyrtari, as vënien ose heqjen e gradave të një gjenerali. Dhe për ta mbyllur komedinë kushtetuese, togat e zeza në vendimin e tyre të datës 25 prill 2002 i referohen disa herë një vendimi të tyre të mëparshëm të datës 19 prill 2002, i cili ende edhe sot nuk ka hyrë në fuqi. Këta janë gjykatësit tanë kushtetues. Kërkojnë zbatimin e nenit 132 pika 1 të Kushtetutës dhe shkelin pikën 2 të po atij neni.
U përqendrova në këto elemente të çështjes, të nderuar deputetë, për të evidentuar shqetësimin tim si shtetas i këtij vendi, se mekanizmi që prodhon mentalitetet antidemokratike ende nuk është ndaluar.
Të gjithë e dimë që diktatura burgosi e pushkatoi, shkatërroi jetë njerëzish të pafajshëm, varfëroi shtëpitë dhe shpirtrat e shqiptarëve, u shkatërroi atyre aspiratën pro perëndimore, por një nga elementët më themelorë të demokracisë, që u godit nga diktatura, ishte parlamentarizmi. Jo rastësisht njeriu i parë i pushkatuar ishte një deputet, që mbrojti lirinë në Parlament. Vit pas viti diktatura polli dhe rriti mentalitetin se Parlamenti mund të tërhiqet prej hunde nga sekretarët politikë, se Qeveria është fuqi ekzekutuese edhe mbi Parlamentin, se çfarëdolloj prokurori mund të kërcënojë deputetët, se edhe një hetues ose spiunë gjirizesh vlen më shumë se ai të cilit shtetasit e vet i kanë dhënë mandatin e përfaqësimit në këtë Parlament.
Metastazat e këtij mentaliteti kanceroz për demokracinë veprojnë ende sot e gjithë ditën. Përndryshe nuk do të derdhej aq shumë merak për të drejtat e një ose 20 prokurorëve para se ata të përgjigjeshin për disa pyetje të thjeshta. Po ju zotëri sa dhe si i keni mbrojtur të drejtat e shqiptarëve? A keni zbuluar dhe dënuar ndonjë nga vrasësit e djemëve të Vlorës apo të Tropojës, të Përmetit apo të Fierit? A e keni zbuluar apo dënuar ndonjë nga grabitësit e pasurisë së shqiptarëve? A keni zbuluar apo dënuar ndonjë nga kodoshët që shesin vajzat shqiptare nëpër rrugët e botës? A keni zbuluar dhe dënuar ndonjë nga baronët e drogës, që kanë punuar përditë nën hundën tuaj? A keni denoncuar ndonjë nga gjykatësit që ka falur dhe liruar këta trafikantë apo bashkëpunëtorët e tyre? A keni zbuluar e denoncuar, qoftë edhe një herë, qoftë edhe një vilë prokurori apo gjykatësi të ndërtuar mbi themelet e këtyre pisllëqeve? E më në fund e më në krye, a e dini se çfarë dëmi i keni sjellë imazhit të Shqipërisë dhe aspiratës së saj për t’u integruar në strukturat euroatlantike?
Vetë ish-Prokurori i Përgjithshëm në dhjetëra raste dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka shfaqur metastazat antiparlamentare. Edhe ditën që u diskutua mocioni ndaj tij, tre herë është thirrur të vijë atë ditë në Parlament dhe ka refuzuar me gojë e me shkrim, tani ankohet pse nuk është dëgjuar. Edhe pse është pyetur e dëgjuar nga Kryetari i Shtetit, ai këtë e quan takim jozyrtar dhe ka guxuar të deklarojë publikisht se kam dosje për deputetët, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën kushtetuese të Kuvendit dhe tani ankohet kundër Kuvendit.
Metastazën antiparlamentare dhe antikushtetuese ai e ka shfaqur edhe në komunikimin e fundit zyrtar me Kuvendin, pak ditë përpara shkarkimit. Në një kërkesë të tij, ndërsa është brenda normalitetit marrja e autorizimit për heqje imuniteti të një deputeti, është totalisht antikushtetuese kërkesa për arrestimin e tij, sepse neni 73 pika 2 e Kushtetutës e përcakton në mënyrë taksative se kjo gjë mund të bëhet vetëm pas hetimit mbi çështjen konkrete në mënyrë të drejtpërdrejtë me deputetin.
Këto sulme kundër parlamentarizmit në thelb janë sulme kundër demokracisë.
Natyrshëm lind pyetja: Pse ndodhin këto dhe pse pikërisht në këto momente? Gjithsecili ka një shpjegim individual dhe çdo shpjegim i tillë është i pamjaftueshëm, por sidoqoftë komplementar. Unë do të kufizohem vetëm duke u treguar titullin e një libri dokumentar të shkruar nga nobelisti i famshëm Gabriel Garsia Markez, që siç e dini është nga Kolumbia, “Lajmi për një sekuestro”, titullohet libri dhe tregon sesi baronët kolumbianë të drogës sekuestruan gazetarë e politikanë, gjykatës e priftërinjë, balerina e ministra. Dikush po përpiqet të na sekuestrojë edhe ne, të dashur kolegë deputetë, të sekuestrojë parlamemtarizmin, të sekuestrojë Kushtetutën e Republikës, të sekuestrojë aspiratat tona për demokraci. Kjo dorë duhet të ndalet. Në radhë të parë kjo gjë i takon Kuvendit të Shqipërisë, prandaj sot unë po jap dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Kuvendit për të mbrojtur në mënyrën më modeste dinjitetin e Kuvendit dhe për të shmangur çdo rrezik të krizës midis institucioneve.
Për ata që ende nuk e kanë kuptuar thelbin e aktit tim, po u them që çështja është tepër e thjeshtë. Duke qenë se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim antikushtetues, duke qenë se ajo i kërkon Kuvendit të rishqyrtojë vendimin e tij të votuar me shumicë, duke qenë i detyruar si Kryetar i Kuvendit ta filloj këtë procedurë në kundërshtim me bindjet e mia, dorëheqjen time e konsideroj si një akt të plotë të pajtimit të bindjeve të mia me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Falemnderit.
Seanca mbyllet.
Seanca tjetër do të hapet me zgjedhjen e kryetarit të ri dhe do të njoftohet në televizion.