Kundërshtime brenda PS-së? Rama: Kush nuk dëshiron të jetë në listën e hapur, të njoftojë drejtuesin politik

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku diskutoi për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 Majit.

Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga afti i fundit i dorëzimit të listave në KQZ, duket se brenda PS-së kanë nisur kundërshtimet e para.

Kjo u dallua në fjalët e Ramës, i cili pasi njoftoi se asnjë burrë që ka marrë të paktën 1 mandat nuk do të jetë në listën e mbyllur, shtoi se të gjithë ata që nuk dëshirojnë të garojnë në listën e hapur duhet të njoftojnë drejtuesit politikë.

Kjo do të thotë se pothuajse e gjithë “garda e vjetër” e socialistëve, përveç drejtuesve politikë, do të garojnë në listën e hapur, duke u përballur jo vetëm me opozitën, por edhe me njëri tjetrin, pasi çdo votë është e vlefshme.

“Ajo që dua të ndaj me ju është, e para cilido dhe cilado prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit/drejtueses politike. Parimi themelor i listës së re do jetë që asnjë deputet i gjinisë mashkullore që ka  marrë qoftë edhe një mandat nga Partia Socialiste, nuk do të jetë në listën e mbyllur. Është e drejta e kujtdo që nuk do të jetë në listë të hapur që ta thotë, por do duhet të na thotë paraprakisht. Kjo sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe nga Partia Socialiste të parët. Patjetër që në listat e hapura do ketë shumë të rinj e të reja”, tha Rama.