Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Korenë e Jugut, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, si dhe nga delegacioni shqiptar.
Rama do të marrë pjesë në një darkë mirëseardhjeje të organizuar nga Asia Leadership Center dhe Harvard Club of Korea, ku pritet të jenë të pranishëm përfaqësues të politikës, qeverisë dhe biznesit korean.
Gjatë qëndrimit në Seul, Rama do të zhvillojë takime me Kryeministrin e Koreja e Jugut, Kim Minseok, si dhe me kreun e Samsung, Lee Jae-yong.
Një nga momentet kryesore të vizitës do të jetë pjesëmarrja e Kryeministrit shqiptar në ceremoninë hapëse të Asian Leadership Conference, ku ai do të mbajë një fjalë përshëndetëse përkrah liderëve dhe personaliteteve ndërkombëtare.
Po ashtu, Rama do të jetë i ftuar special në panelin “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku do të diskutojë mbi sfidat globale, pozicionin e Ballkanit Perëndimor në zhvillimet gjeopolitike, si dhe ndikimin e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital në qeverisje.
Axhenda e vizitës përfshin edhe takime me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimin e mundësive të investimeve në Shqipëri.
Në kuadër të kësaj vizite, Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në një dialog ekskluziv me liderë të rajonit Azi-Paqësor (APAC), ku pritet të diskutohen çështje të sigurisë, ekonomisë dhe teknologjisë në nivel global.