Andriy Yermak, ish-shefi i administratës presidenciale të Ukrainës dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Volodymyr Zelensky, është liruar nga paraburgimi pasi u pagua një garanci prej 140 milionë hryvniash, ose rreth 2.7 milionë euro, në kuadër të një hetimi për pastrim parash.
Sipas Shërbimit të Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë, Yermak u lirua më 18 maj, vetëm katër ditë pasi gjykata kishte vendosur masën e paraburgimit deri në 60 ditë, nëse nuk paguhej shuma e garancisë.
Megjithatë, ndaj tij janë vendosur disa masa kufizuese: ai duhet të mbajë byzylyk elektronik monitorimi, të dorëzojë pasaportat, të paraqitet para hetuesve sa herë të thirret dhe nuk mund të largohet nga Kievi pa autorizim. Gjithashtu, i ndalohet komunikimi me të dyshuarit e tjerë në çështje.
Yermak, i cili dha dorëheqjen në fund të vitit 2025 pasi skandali i njohur si “Midas” përfshiu rrethin e afërt të Zelenskyt, dyshohet se ishte pjesë e një grupi të organizuar që pastronte deri në 8.9 milionë euro ryshfete nga sektori energjetik përmes ndërtimit të banesave luksoze pranë Kievit.
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit në Ukrainë (NABU) bëri të ditur se pesë nga shtatë të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa dy persona vijojnë të jenë në arrati. Mes tyre është edhe Timur Mindich, i konsideruar organizatori kryesor i skandalit “Midas” dhe bashkëpronar i kompanisë “Kvartal 95”, të themeluar së bashku me Zelenskyn gjatë periudhës kur presidenti ukrainas ishte komedian.
Sipas hetimeve, Mindich drejtonte një rrjet që mblidhte rreth 90 milionë euro ryshfete nga kontraktorët e Energoatom, operatori shtetëror i centraleve bërthamore në Ukrainë. Skema dyshohet se mbështetej nga figura të larta të qeverisë së Zelenskyt, përfshirë ministrat e Energjisë dhe Drejtësisë, Svitlana Grinchuk dhe Herman Galushchenko.
Yermak ka mohuar çdo akuzë dhe ka deklaruar se ekipi i tij ligjor do të apelojë vendimin e gjykatës.
Kjo çështje konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha për administratën e Zelenskyt gjatë kohës së luftës, ndërsa Ukraina vijon përballjen me Rusinë dhe përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
NABU njoftoi zyrtarisht ngritjen e dyshimeve ndaj Yermak më 11 maj. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri në 12 vite burg.