Krim brenda familjes? 65 vjeçari në Lezhë dyshohet se u dhunua dhe më pas u qëllua me armë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Lezhë ku 65 vjeçari Gjergj Tusha u gjet pa shenja jete në breg të lumit Mat.

Sipas burimeve të mediave, viktima dyshohet se është dhunuar dhe më pas është qëlluar për vdekje me armë zjarri.

65 vjeçari, ishte denoncuar i zhdukur nga vajza e tij me iniciale A. Gj., rreth orës 14:40 të mesditës së djeshme, ndërsa trupi i pajetë u gjet pas disa orë kërkimesh.

Motivet e vrasjes mbeten ende mister dhe nuk dihet se në cilat pista po hetohet. Por nuk përjashtohet piste e krimit brenda familjes.

Mësohet se viktima kishte tre urdhër-mbrojtjeje nga i biri në 3 vite të ndryshme, për dhunë fizike dhe psikologjike.

Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri.

Njoftimi i policisë:

Lezhë / Informacion paraprak

Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij.

Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T.

Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po kontrollojnë në zonë me qëllim kapjen e autorit/ve.