Kreu i SPAK: Jemi imun nga politika dhe reagimet mediatike, çështjet korruptive dhe tenderat të vështira për t’u hetuar

Kreu i SPAK Altin Dumani, ka folur në tryezën e diskutimit të organizuar nga “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”. Ai tha se është imun nga retorika në politike apo presionet mediatike dhe prokurorët e SPAK nuk ndikohen fare nga ato.

“Retorika politike apo presioni mediatik tek unë si drejtues nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun nga retorika politike e përditshme dhe reagimet mediatike. Këtë përpiqem të përcjell tek trupa e prokurëve të SPAK. Nuk kanë asnjë lloj ndikimi në punën time si drejtues, por as të prokurorëve dhe hetuesve. Nuk më shqëtëson retorika politike në raport me hetimin. Kemi garancitë kushtetuese të ushtrojmë ndjekjen penale. Patjetër nga reagimet mediatike tregohemi të kujdesshëm për të evidentuar të dhëna që na interesojnë ne dhe I shfrytëzojmë në hetimet tona. Kur evidentohen problematika në raport me institucionin që unë drejtoj,që ne të reflektojmë në raport me këto kritika, por në raport me vazhdimin e hetimeve nuk mës hqetëson retorika politike“, është shprehur Dumani.

Në krah të ambasadorit të BE, Dumani foli edhe për çështjet korruptive apo tenderat, për të cilat tha se janë të vështira për t’u hetuar.

“Kërkojnë kohë, kërkojnë njerëz, kërkojnë teknika speciale të hetimit. Kur nis një hetim ku kombinohet hetimi historitë, por edhe hetim proaktiv, hetimi zgjat shumë. Nuk e them për shfajësim, por duhet ta marrim parasysh. Nuk mund të krahasojë një çështje që ne hetojmë me një çështje të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Nuk duhet t’i mëshojmë shumë çështjes sasiore. Sa i takon transparencës, ne jemi përpjekur të jemi transparentë me publikun, duke publikuar në faqen tonë raportet vjetore, rregulloret, njoftimet për shtyp. Ka edhe raste të rralla, kur bëjmë reagime publike për çështje të cilat tërheqim vëmendjen e opinionit publik”, theksoi ai.