Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla është pyetur nga deputetët e opozitës nëse është korrekt emërimi i katër anëtarëve të familjes së deputetes së PS, Ermonela Felaj në Prokurorinë e Turanës.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla iu përgjigj deputetëve duke u thënë se ligji u miratua nga vetë ata në 2019.
Sipas Kreut të Këshillit të Prokurorisë ka qenë një koincidencë që në këtë Prokurori të aplikonin anëtarë të së njëjtës familje, ndërsa tha se duhet zgjedhur mes moralit dhe zbatimit të ligjit, duke pranuar kështu se nuk është e moralshme të punësosh 4 familjarë brenda një institucioni.
“Në lidhje me 4 anëtarë të familjes së një deputeteje. Ne nuk i lidhim emrat dhe mbiemrat e prokurorëve me deputetë, disa i dimë dhe disa nuk i dimë kush i kanë lidhjet apo si i kanë me deputetët. Por neve na shqetëson vetëm papajtueshmëria ambientale, duhet të dini që vetë ju në vitin 2019 keni miratuar një ligj i cili ka ardhur si nevojë e shfuqizimit të Gjykata Kushtetuese i ka bërë këtij neni. Ne e kemi diskutuar dhe rasti i fundit mqs e lidhni me disa emërime që kanë lidhje krushqie kunat, motër vëlla pranë Prokurorisë së Tiranës ka qenë një koincidencë që në këtë prokurori të madhe të aplikojnë.
Nëse ju që keni miratuar një ligj të ri në 2019, i cili vjen pas reformës në drejtësi, mendoni se duhet ndryshuar, mund ta ndryshoni jeni të lirë, jemi dakord. Ne e kemi pasur këtë shqetësim, në Komisionin e Karrierës është diskutuar kjo gjë. Ne si pengesë ligjore nuk kemi, ia kam bërë pyetje edhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i thashë “tani kemi hallin e moralit apo të zbatimit të ligjit”, unë personalisht nuk do të ngrija dorën për të dhënë një vendim kur jam 100% i sigurt që Gjykata Administrative mua do të ma rrëzojë”, është shprehur Balla.