Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar nga detyra prokurorin e Gjirokastrës Juljan Çafka. KPA ka rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e kishte konfirmuar atë në detyrë në shtator të vitit të kaluar.
KPA pranoi kërkesën e Komisionerit Publik dhe përveç pezullimit nga detyra, e detyron Çafkën që të ndjekë për 1 vit trajnim në Shkollën e Magjistraturës.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 72/2021, datë 23.11.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 442, datë 14.09.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Juljan Çafka.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin Ë, pika 1, të Aneksit të Kushtetutës, nenin 44, shkronja “b” dhe në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi: -Ndryshimin e vendimit nr. 442, datë 14.09.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Juljan Çafka. -Pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Juljan Çafka për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës”, thuhet në vendimin e KPA të marrë ditën e sotme.
Bazuar në një denoncim ku ngrihen pretendime mbi profesionalizmin e prokurorit Çafka, Komisioneri Publik Florian Ballhysa ushtroi ankim ndaj vendimit të KPK për konfirmimin e tij në detyrë.
Edhe gjatë procesit në Kolegj, ndaj këtij subjekti rivlerësimi u depozituan të tjera denoncime, për shqyrtimin e të cilave u vendos nga Kolegji që të administrohen dosjet e çështjeve penale të hetuara prej tij