KPA e përjashtoi për 15 vite nga sistemi i drejtësisë, KLP i ndërpret mandatin Alfred Ballës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur me 9 vota pro për mbarimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla, të cilin KPA e përjashtoi për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.

Vendimi u mor në mbledhjen e KLP, ku me 9 vota pro u vendos që kreut të KLP-së, t’i përfundojë mandati. Ndërkohë kundër ka votuar vetëm Nurihan Seiti. Kjo e fundit doli hapur në krah të Alfred Ballës, duke thënë se ai duhet të vijojë detyrën, pasi vendimi i KPA futet në fuqi vetëm pas publikimit në fletoren zyrtare.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e Ballës dhe përjashtimin nga sistemi i drejtësisë për 15 vite. Balla përmes një shkrese tha se vendimi nuk ka efekt të menjëhershëm pasi ai ishte zgjedhur si përfaqësues i shoqërisë civile.

Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt të vitit 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit. Ndërsa në mars të vitit 2022 u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2 vjeçar.