Koreja e Veriut ka ndaluar përkohësisht hyrjen e turistëve të huaj në resortin e saj më të ri bregdetar, Wonsan Kalma, i cili u hap më 1 korrik. Ky vendpushim është promovuar si një projekt ambicioz i liderit Kim Jong Un për të zhvilluar sektorin e turizmit në vendin e izoluar.
Në prag të hapjes, resorti u reklamua si destinacion për vendasit dhe turistët e huaj, ndërsa njoftimi i fundit në faqen zyrtare të turizmit të Koresë së Veriut thotë se hyrja për të huajt është “përkohësisht” e ndaluar.
Kjo masë vjen vetëm pak ditë pasi turistët e parë rusë mbërritën në resortin e Wonsanit, në të njëjtën kohë kur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, zhvilloi një takim me Kim Jong Un në qytet. Lavrov e përshkroi resortin si një “atraksion të mirë turistik”, duke shprehur shpresën që të bëhet i preferuar për rusët. Pritet që deri në fund të muajit të nisin fluturime direkte mes Moskës dhe Phenianit.
Qyteti i Wonsanit ndodhet në bregun lindor të Koresë së Veriut dhe njihet për bazat e tij raketore dhe kompleksin e madh detar. Është gjithashtu një vend i lidhur ngushtë me jetën personale të Kim Jong Un, i cili thuhet se ka kaluar pjesë të fëmijërisë aty.
Resorti i ri shtrihet përgjatë 4 km vijë bregdetare dhe përfshin hotele, restorante, qendra tregtare dhe një park ujor, me një kapacitet prej rreth 20,000 vizitorësh. Por që prej fillimit të ndërtimit në vitin 2018, organizatat për të drejtat e njeriut kanë denoncuar kushtet e rënda të punës për ndërtuesit e projektit, duke përfshirë orë të zgjatura pune dhe kompensim të pamjaftueshëm.
Në ceremoninë e përfundimit të resortit më 24 qershor morën pjesë ambasadorë rusë dhe familja e Kim Jong Un. Vitin e kaluar, Koreja e Veriut rifilloi pranimin e turistëve rusë pas një ndërprerjeje të gjatë gjatë pandemisë, ndërsa në fillim të këtij viti pranoi për pak kohë edhe turistë nga Perëndimi, përfshirë Australinë, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, përpara se ta ndalonte sërish turizmin pa dhënë shpjegime.