“Kompleksi Partizani”, nga privatizimi, te denoncimi i Ballës dhe arrestimi i Malltezit

Privatizimi i kompleksit “Partizani”ka qeë gjithmonë një temë e “nxehtë” në politikën shqiptare, për shkak të akuzave të hedhura nga Partia Socialiste në drejtim të ish-kryeministrit Berisha.

Dje, 3 vite pas denoncimit të Taulant Balës për privatizimin e atij kompleksi, Prokuroria e Posaçme ka arrestuar dhëndrin e Berishës, Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, dy nga pronarët e kullave të ndërtuara në atë truall.

Por si është historia e privatizimit të kompleksit “Partizani”?

Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes që qëndronte jo shumë larg nga qendra e Tiranës, tek Ish Fusha e Aviacionit, qendra më e madhe sportive në zemër të kryeqytetit, me përmasa 26.000 metra katrorë, ku sot janë ndërtuar një grup me 17 kulla

Privatizimi nisi në vitin 2008 dhe u mbyll brenda pak muajsh. Pronat ku ndodhej kompleksi ishin në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por ato iu dhanë disa personave që pretendonin se ishin pronarë, një prej tyre edhe Jamarbër Malltezi.

Malltezi, në bashkëpunim me Fatmir Bektashin ndërtuan në këtë kompleks 17 kulla, ku dhëndri i Berishës është pronar i rreth 40% të ndërtesave. Por në vitin 2020 Taulant Balla do të denonconte në SPAK këtë privatizim, që sipas tij ishte aferë korrupsioni.

Do të duheshin 3 vite që SPAK të vepronte, teksa arrestoi Jamarbër Malltezin dhe Fatmir Bektashin, të cilët akuzohen për veprat penale korrupsion pasiv në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim. Ndërkohë, i pandehur është edhe Sali Berisha, mbi të cilin rëndon akuza “korrupsion pasiv”, por për të nuk mund të jepet masa e sigurisë arrest me burg” për shkak të moshës.