Gjykata e Posaçme vendosi sot masë detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte ndaj ish kryeministrit dhe kreut të opozitës, Sali Berisha, pasi Prokuroria Speciale SPAK ngriti akuzë ndaj tij për korrupsion. Ky vendim i Gjykatës vendos një precedent të ri në jetën publike shqiptare pasi për herë të parë një ish kryeministër shqiptar vendoset nën akuzë. Sali Berisha, ish president dhe kryeministër i Shqipërisë reagoi fort duke i cilësuar akuzat si politike.
Sot pasdite, u bë e ditur se dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi u arrestua në aeroportin e Rinasit teksa po kthehej nga një vend i Bashkimit Europian dhe më pas u zbulua se SPAK kishte lëshuar një urdhër arresti ndaj tij për çështjen e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani. Gjykata e Posaçme konfirmoi më pas kërkesat e SPAK.
Deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Speciale, mësohet se ish kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, neni 260 dhe 25 i Kodit Penal.
Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv ne bashkëpunim Neni 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, neni 287 i K.Penal. Ndërtuesi Bektashi akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim produktesh ne bashkëpunim me Malltezin.
Për Sali Berishën është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është arrestuar dhe Gjykata i vendosi masën arrest me burg. Në pranga ka rënë gjithashtu trashëgimtari i truallit dhe ndërtuesi Bekteshi.
Mësohet se kryeministri Sali Berisha i ka shpëtuar masës së arrestit me burg për shkak të moshës, nisur nga klauzola e nenit 230, pika 2 e kodit të procedurës penale.
“Nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të, ndaj një personi që ndodhet në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë ose që ka kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç ose një personi toksikoman apo të alkoolizuar, për të cilin zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm,” theksohet në nenin 230, pika 2.
Prej 3 vitesh, SPAK ka hetuar një kallëzim të bërë nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në lidhje me procedurat e ndjekura për privatizimin e pronës shtetërore “Klubi Sportiv Partizani” Tiranë. SPAK nuk mori në pyetje Berishën apo dhëndrin e tij por vetëm persona në dijeni, si ish ministrat Genc Ruli dhe Gazment Oketa.
Ndërkaq, në orën 21.00, Sali Berisha foli për mediat duke i cilësuar akuzat dhe arrestimin e dhëndrit të tij si tërësisht politike. Ai tha se do vijojë betejën e tij politike. “Edi Rama pasi ka grabitur në mënyrë suksesive votën e shqiptarëve dhe eliminoi pluralizmin politik në parlament, pasi u damkos nga qytetarët e Kosovës si vëllai i Vuçiçit, nga opozita si argat i Beogradit, nga bota si Pashiçi shqiptar dhe pas fillimit të lëvizjes opozitare pa kthim, dje në Parlamentin e Shqipërisë, ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë të denoncuar publikisht në këtë sallë për fshehje dokumentash, për manipulim dosjesh, për bashkëpunim e krimin dhe bandat, për të lëshuar urdhër në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë lëvizje nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit, por duke qenë autor i një propozimi të tillë në vitin 2012 që ky nen të hiqet, unë pranoj plotësisht sfidën,” – deklaroi Berisha.