Komisioni për Shëndetësinë zhvillohet me debate, Albana Vokshi përplaset me Plarent Ndrecën: Po i bëni shantazh stafit!

Ka nisur sërish me debate mbledhja e dytë e komisionit hetimor parlamentar për koncesionet në shëndetësi.

Përplasje ka patur mes Plarent Ndrecës dhe Albana Vokshit, për rolin e sekretarit të komisionit dhe për një mosmarrehsje lidhur me shtyrjen e orarit të komisionit.

Ndreca ka kërkuar që Vokshi të raportojë çdo gjë tek sekretari i komisionit, Klevis Xhoxhi i PS-së, i cili u zgjodh me unanimitet në mbledhjen e kaluar.

Kjo kërkesë nuk është pranuar nga opozita, ku Vokshi i ka kërkuar mazhorancës që të mos bëjnë shantazhe ndaj stafit, pasi Klevis Xhoxhi kishte mbajtur një mbledhje me stafin mbështetës për komisionin. Vokshi tha se këto janë shantazhe dhe presione ndaj stafit për të kontrolluar punën. Ajo e ka konsideruar si përpjekje për të monopolizuar drejtimin e komisionit.

Pjesë nga debati

Plarent Ndreca: Thjesht nuk po krijojmë komunikimin që duhet mes njëri tjetrit dhe të kemi besimin se ccdo organ funksionon mbi bazë besimi dhe harmonie. Kemi komunikuar së bashku, u kam thënë që kolegët janë të zënë, ka qenë Javë e Gjelbër. Nuk kishte asnjë tendencë. Kemi qenë korrekt për sot. U kërkua nga një koleg shtyrja u gjet mirëkuptimi. Me gjithë mirëkuptimin nuk arritëm që të gjenim të gjithë momente të lira për në orën 12:00. Sa i përket cështjes së sekretarit është ai që drejton nga pikëpamja administrative të gjithë procesin. Edhe kryetarja duhet të informojë për gjithçka sekretarin.

Albana Vokshi: Çfarë po thoni? Unë të informoj sekretarin?

Plarent Ndreca: Pse po më ndërprisni?

Albana Vokshi: Tërhiqeni mbrapsht, kjo është non sens. Po të jetë ashtu, se ju jeni edhe jurist, hajde të ikim ne. Nëse sekretari është vetëm për letrat…asnjë shantazh ndaj stafit. Harroni shantazhet ndaj stafit.

Plarent Ndreca: Nuk ka asnjë presion. O zonjë më lini ta mbaroj.

Albana Vokshi: Thoni gjërat sikur janë, zbatimi i ligjit

Plarent Ndreca: Nuk ka asnjë pengesë, nuk mund të them cfarë do ti, po ligji. Ajo që po them unë…Sekretari nuk të merr leje ty cfarë bën, është ai që drejton pjesën administrative. Informimi nuk do të thotë asgjë, ti sapo informove publikun dhe jo më sekretarin.

Plarent Ndreca ka hedhur për votim rendin e ditës, që është konsideruar si absurd nga ana e Vokshit, pasi është tagër i kryetares.

Debati:
Vokshi: Çdo vendim merret këtu me shumicë votash nuk ka pse bëni tentativa të tjera për të marrë kontrollin. Të gjithë të kenë të qartë detyrën. Nuk kemi super-deputetë, super-sekretarë dhe super-kryetarë. Pjesën e stafit mos e bëni palë në mosdakordësinë tonë. Lërini të bëjnë punën.
E ka marrë vesh i gjithë Kuvendi biseda shatazhuese e juaj me stafin.
Ndreca: Ngrini dorën të votojmë për rendin e ditës, ne votuam
Vokshi: Jeni deputet i ri, nuk ia keni marrë akoma dorën. Mësoni si është ligji. E kuptoni që zoti Ndreca jo vetëm nuk firmos deklaratën e konfliktit të interesit por madje hedh edhe në votim…
E kuptoni cpo bëni?
Si mund të hedhë një nënkryetar në votim? Aq shumë frikë keni? Këtu do zbatohet ligji. Mos guxoni më ta hidhni në votë. Është absurd!

Edhe nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka qenë i ashpër në Komisionin Hetimor për çështjet e shëndetësisë.

Ai tha se komisioni nuk është në varësi të sekretarit. Ai i cilësoi këto pretendime nga PS si broçkulla dhe komedi.

“Ne do të vijojmë rendin e ditës, apo do të dorëzojmë komisionin te sekretari?! Në kuvend u miratuan anëtarët e komisionit dhe jo sekretari. Ai është lehtësues i disa proceseve. Raportin nuk do të përcaktojë sekretari. Ne nuk jemi komision i sekretarit. Këto broçkulla mos na i thoni. Kjo është politikë! Ai mund të jetë në dy komisione. Ky është staf mbështetës i deputetëve. Ça ‘vdiq’ komisioni hetimor? Këto janë komedira!”, tha ai.