Komisioni Hetimor për TIMS do të mblidhet më datë 10 qershor, në orën 14:00, ku do të vijohet me të tjera dëshmi.
Në mbledhjen e së hënës do të merren në pyetje Ardit Muço, ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit; Besjan Tanuzi, Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit; Ervina Gjana, Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit.
Rikujtojmë se në mbledhjen e kaluar u morën në pyetje si dëshmitarë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, si dhe ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili ndodhet nën masën e sigurisë të arrestit shtëpiak.
Dëshmitë e tyre ishin me dyer të mbyllura ndërsa kreu i Komisionit Hetimor për TIMS Ervin Salianji ka thënë se të dhënat që morën nga drejtuesit e Policisë janë llahtar.
Njoftimi
Në zbatim të vendimit të ndërmjetëm nr. 10, datë 04.06.2024 të Komisionit hetimor “Për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS”, Komisioni do të zhvillojë mbledhje ditën e hënë ora 14:00, datë 10.06.2024 me rend dite:
1. Miratim i procesverbalit të mbledhjes datë 04.06.2024.
Si dhe zhvillimi i seancave dëgjimore me dëshmitarët si vijon:
1. Ora 14:00 – Z. Ardit Muço, Ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit;
2. Ora 15:00 – Z. Besjan Tanuzi, Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit;
3. Ora 16:00 – Znj. Ervina Gjana, Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit.