Kokainë në banane nga Amerika Latine drejt Europës, tre të arrestuar në Çeki, mes tyre një shqiptar

3 persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të drogës janë arrestuar nga autoritet çeke, ku një prej tyre është shqiptar.

Sipas mediave të huaja, hetimi nisi pas sekuestrimit në dy vitet e fundit të 1 ton 490 kg kokainë në arkat me banane në rrjetin e supermarketeve “Lidl”.

Policia në bashkëpunim me Interpolin, arrestoi drejtuesin e departamentit të importit të fruta-perimeve në “Lidl”. Në pranga ra edhe një tjetër shtetas çek, Petr H., bashkëpunëtor i bosit çek të drogës Radovan Krejcir, një nga njerëzit më të pasur të Çekisë, i kërkuar në këtë vend për trafik droge dhe aktualisht në burg në Afrikën e Jugut.

Mësohet se personi i tretë i arrestuar është një shtetas shqiptar, i cili ishte nën hetim për trafik droge nga autoritetet. Grupi kriminal drejtohej nga një person, i cili jetonte në Pragë prej kohësh dhe ishte dënuar për trafik droge.

 Kokaina vinte nga Amerika dhe pasi mbërrinte në Hamburg, transportohej në Çeki në arka me banane të ngarkuar në kamionë. Sipas Autoriteteve, të dyshuarit rrezikojnë 10-18 vite burg.