Ka nisur sot cikli i dëgjesave publike për draftin e Kodit të Ri Penal, i cili ka nxitur debate të shumta në vend, kundër të cilit doli Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Dhoma e Avokatisë, apo edhe shoqatat e gazetarëve. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se roli i Ministrisë ka qenë vetëm ai i porositësit të këtij drafti të shumëdiskutuar ndërsa është grupi i ekspertëve ata që e kanë hartuar.
Sipas Manjës, për Kodin e ri Penal janë pyetur ekspertë vendas dhe të huaj dhe janë bërë me dhjetëra takime. Manja bëri me dije se ky Kod do të miratohet vetëm pasi të marrë vulën në Bruksel.
“Pjesa e përgjithshme e Kodit Penal është materializuar gjatë vitit 2020, nga një grup pune që e ka kryesuar Arben Rakipi, drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe këtij grupi pune i janë bashkëngjitur herë pas here ekspertë të fushës, qoftë nga avokatia, prokuroria, ekspertë të lirë e me radhë.
Pjesa e përgjithshme, është finalizuar me një tryezë të përbashkët me përfaqësues të SPAK, BKH, prokurorive si dhe drejtues të këtyre prokurorive, si dhe përfaqësues të asistencës ndërkombëtare. Flasim vetëm për pjesën e përgjithshme. Drafti i është dërguar për mendim dhe disa ekspertëve italianë, të cilët e kanë asistuar Ministrinë e Drejtësisë përmes Agjencisë italiane për bashkëpunim. Më 11 Korrik më 2021 e kanë sjellë. Sigurisht pastaj masa e refelektimit të atyre komenteve është çështje që i takon grupit të punës.
Në vitin 2023 si ministër i Drejtësisë kam ngritur një grup pune jo për të shkruar kodin e ri penal, por për të bërë një vlerësim të disa indikatorëve të draftit penal. Dhe i kam lënë afat këtij grupi pune që ka qenë fundi i tetorit 2023, sepse na duhej të kapim dhe axhendën e fundit të negociatave sepse na duhet një Kodi ri penal deri në fund të 2026.
Janë kryer rreth 40 takime me ekspertë të fushave të ndryshme me qëllim diskutimin nen për nen të draftit.
Grupi i punës në fazën e rishikimit të draftit ka kryer me të gjithë aktorët që kanë qenë të interesuar për të qenë pjesë e këtij diskutimi. Jo konsultim publik, por “think tank” për të thithur mendimin e ekspertëve të fushës. Drafti është dorëzuar në Ministri sipas afatit, për të bërë një vlerësim të 54 direktivave që përmbajnë vepra penale të BE. Pastaj në 25 korrik ne patëm tryezën e parë të prezantimit të këtij kodi po në këtë ambient nga grupi i punës. Ky është procesi të nderuar miq, një proces i cili ka filluar që në 2019, dhe kemi të bëjmë me një draft që ka marrë një kohë të madhe të shkrimit dhe hartimit të tij si draft.
Ne kemi patur rolin si porositësi i këtij drafti, grupi i punës është asistuar, por dhe Sekretariati ka qenë nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe do vazhdojmë ta kryejmë këtë rol derisa drafti të hyjë në procedurën parlamentare. I kemi marrë të gjitha vërejtjet shënim.”, deklaroi ministri Manja.