KLP pezullon nga detyra Xhevahir Litën, kryeprokurori i Kukësit që u arrestua gjatë operacionit të SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pezulluar nga detyra kryeprokurorin e Kukësit, Xhevahir Litën, i cili u arrestua gjatë operacionit të SPAK disa ditë më parë.

Ai akuzohet si pjesë e grupit të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit akuzohet se janë edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri, Ervis Martinaj dhe disa të tjerë, pjesë e botës së krimit.

Xhevahir Lita dyshohet se gjatë kohës kur ka ushtruar detyrën e prokurorit në Shkodër ka mbyllur dosjet penale në lidhje me veprat penale për të cilat akuzohen të arrestuarit e tjerë.

Njoftimi i KLP:

Sot më datë 31.07.2023 Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u thirr në mbledhje urgjente nga Kryetari i Këshillit, zoti Balla.

Dy vendimet që u morën sot janë:
1. Pezullimi nga detyra e prokurorit Xhevahir Lita, drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

2. Hapja e garës për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, kjo zyrë Prokurorie do të drejtohet nga Zv/ Drejtuesja, Enkeleda Hoxha.