Klodian Braho firmos strukturën e re të SPAK-ut, rolet që do të kenë prokurorët

Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka firmosuar këtë të hënë strukturën e re të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas TCH, ish-kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, merr detyrën e shefit të seksionit për marrëdhëniet me jashtë vendit.

Prokurorja Dorina Bejko merr drejtimin e seksionit për hetimin e korrupsionit, ndërsa prokurori Vladimir Mara merr drejtimin për seksionin kundër krimit të organizuar.

Më herët, departamenti për marrëdhëniet me jashtë drejtohej nga Dorina Bejko që kishte zëvendësuar Arben Krajën, i cili e mbajti këtë detyrë menjëherë mbasi mbaroi detyrën e kryeprokurorit për afro tre vjet.

Kraja ishte emëruar në këtë detyrë nga pasuesi Altin Dumani, dhe e la postin duke u kthyer prokuror i thjeshtë në SPAK pas konflikteve për drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Departamentin e krimit të organizuar e drejtonte deri sot prokurori Adnand Xholi që mbetet prokuror i thjeshtë në këtë sektor. Ai zëvendësohet nga Vladimir Mara i cili është i njohur për drejtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore me antimafian italiane.