Kërkuan mbledhjen e Këshillit të Mandateve për Ballukun, deputetët e PD-së e gjejnë derën mbyllur

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, e kanë gjetur derën e mbyllur, pavarësisht se kishin kërkuar sërish sot që të mblidhej ky  shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres Belinda Balluku.

Ata thonë se mbledhja e Këshillit po mbahet peng nga kryeministri Rama, me qëllim që të mos arrestohet Balluku.

“Kuvendi, me urdhër politik të Edi Ramës, vazhdon të mbajë peng mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ndryshe nga sa përcakton rregullorja, sipas së cilës mbledhja e Këshillit mund të thirret nga 5 anëtarë, Niko Peleshi vazhdon t’i mbajë të kyçura zyrat e Kuvendit, duke mbrojtur të korruptuarën Belinda Balluku”, shprehen ata.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti mbi 210 milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes do të bëhet në 22 Janar.

Ndërkohë, SPAK nuk ka hezituar dhe ka kërkuar të arrestojë Ballukun, pasi e konsideron rrezik për prishjen e provave, argumentim që e dha edhe për pezullimin nga detyra. Tashmë do t’i takojë Kuvendit të marrë vendim, nëse do të pranojë heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut.