Kërkojnë 40 mln euro në arbitrazh/ Koncesionari i Portit të Durrësit: Na sulmuan me forca policore

Kompania koncesionare EMS, e cila ka për 35 vjet terminalin lindor në Portin e Durrësit, deklaroi se në mënyrë arbitrare Autoriteti Portual i Durrësit ka ndërhyrë me forca policie dhe mjete duke pezulluar aktivitetin e saj tregtar.

Sipas tyre, ata kanë bllokuar hyrjet dhe daljet e automjeteve, zyrat dhe peshoren e mjeteve pa asnjë paralajmërim.

“Anijet presin të ngarkohen dhe shkarkohen. Nuk e dimë cili është qëllimi i zaptimit të sipërfaqeve të kalatës lindore dhe pezullimi i aktivitetit”, tha Florian Cimo, përfaqësues i EMS.

Sipas tij, ka dëm ekonomik në aktivitetin tregtar për kompanitë importuese dhe eksportuese. 

Kompania gjermane EMS Shipping, që ka me koncesion terminalin lindor në Portin e Durrësit, kërkon 40 milionë euro kompensim nga qeveria shqiptare për thyerje të njëanshme të kontratës koncesionare në Gjykatën e Arbitrazhit të Uashingtonit.

Kompania pretendon se qeveria shqiptare e ka trajtuar në mënyrë arbitrare dhe diskriminuese duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare në shkelje të marrëveshjes koncesionare.

Më konkretisht, EMS pretendon se goditja e paligjshme ndaj saj është e lidhur me dy koncesione të tjera të dhëna nga qeveria shqiptare. I pari është ai me kompaninë arabe Eagle Hills, për transformimin e portit të mallrave në Durrës në një port turistik me kulla.

Sipas kompanisë gjermane, territori i koncesionit te saj do t’i dorëzohet kompanisë arabe brenda këtij viti. Kjo do të çojë në mbylljen automatikisht të operacioneve të saj në port, duke i dhënë praktikisht fund koncesionit edhe pse afati i marrëveshjes është për 35 vjet. Kompania thotë se ka kërkuar zgjidhje nga qeveria se ku do të zhvendoset koncesioni i saj pasi territori t’i kalojë kompanisë arabe, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ndërkohë koncesioni i dytë, që kompania gjermane pretendon se e ka dëmtuar, është ai i portit MBM në Porto Romano. Kompania gjermane pretendon se porti MBM u bë një konkurrent direkt i saj, për shkak të favorizimit në mënyrë të paligjshme nga qeveria. Syri