Irani paralajmëroi të enjten se çdo rifillim i sulmeve nga Shtetet e Bashkuara do të pasohet me “goditje të gjata dhe të dhimbshme” ndaj pozicioneve amerikane në rajon, duke komplikuar planet e Uashingtonit për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Dy muaj pas nisjes së luftës, e cila shpërtheu pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, kjo rrugë jetike detare mbetet e bllokuar, duke ndërprerë rreth 20% të furnizimit global me naftë dhe gaz. Si pasojë, çmimet e energjisë në tregjet botërore janë rritur ndjeshëm, duke shtuar shqetësimet për një ngadalësim ekonomik global.
Përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit kanë ngecur, pavarësisht një armëpushimi në fuqi që prej 8 prillit. Irani vijon të mbajë të mbyllur ngushticën si kundërpërgjigje ndaj bllokadës detare amerikane mbi eksportet e tij të naftës, që përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë së vendit.
Sipas mediave amerikane, presidenti Donald Trump pritet të informohet mbi planet për një seri sulmesh të reja ndaj Iranit, me synimin për të rritur presionin në negociatat mbi çështjen bërthamore.
Ky zhvillim ka ndikuar menjëherë në tregjet e energjisë, ku çmimi i naftës Brent arriti përkohësisht mbi 126 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2022, përpara se të binte sërish në rreth 113 dollarë.
Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare iraniane deklaroi se çdo sulm amerikan, edhe i kufizuar, do të sjellë pasoja të rënda për interesat e SHBA në rajon. “Kemi parë çfarë ndodhi me bazat tuaja rajonale, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me anijet tuaja luftarake”, citohet të ketë thënë komandanti i forcës ajrore-hapësinore, Majid Mousavi.
Ndërkohë, kompania Amazon raportoi dëme në shërbimet e saj në Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si pasojë e konfliktit, duke paralajmëruar se rikthimi në funksionim normal mund të zgjasë me muaj.
Irani ka intensifikuar gjithashtu veprimet ushtarake, duke lëshuar dronë dhe raketa ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajon, si dhe ndaj infrastrukturës dhe kompanive të lidhura me SHBA në shtetet e Gjirit.
Nga ana tjetër, Uashingtoni po shqyrton mundësinë e marrjes nën kontroll të një pjese të Ngushticës së Hormuzit për të garantuar lëvizjen e lirë të anijeve tregtare. Njëkohësisht, Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje vendeve partnere të bashkohen në një koalicion të ri detar për sigurinë në rajon.
Franca, Britania dhe vende të tjera kanë zhvilluar bisedime për një pjesëmarrje të mundshme, por kanë theksuar se do të angazhohen vetëm pas përfundimit të konfliktit.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike vijojnë, me Pakistanin që po ndërmjetëson mes palëve për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm. Megjithatë, dallimet mbeten të thella, veçanërisht mbi programin bërthamor të Iranit.