Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përjashtuar me 1 vit nga aktivitetet sportive presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhimën.
“Zyrtari i FK Apolonia, Koço Kokëdhima, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 1 (një) vit pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit’, thuhet në vendimin e Disiplinës.
Ky vendim i Disiplinës vjen pak ditë pasi Kokëdhima u fut në fushë dhe kërcënoi gjyqtarin e ndeshjes Apoloni-Gramsh, në kampionatin e vajzave.
Krahas përjashtimit, presidenti i Apolonisë është ndëshkuar me gjobë në vlerën 200 mijë lekë.
Ndëshkimit nuk i ka shpëtuar as trajneri i ekipit të femrave, Mariglen Kule. Disiplina vendosi ta pezullojë me pezullim për 8 ndeshje për sjellje josportive. Kurse zyrtari i klubit, Kiri Mundija, është pezulluar me 1 vit.