Rrjeti mediatik franko-gjerman “Arte”, ka publikuar reportazhin, referuar vendit tonë, me titull “Drogë, dollarë, diplomaci: Vallëzimi i Shqipërisë me BE-në”.
Në dokumentar evidentohet trafiku i drogës, ku nënvizohet se njerëz të ngushtë të qeverisë janë në Kolumbi dhe Meksike, duke drejtuar tregtinë ndërkombëtare të trafikut të drogës. Ndërkohë gazetarët e këtij dokumentari thonë se përmes Portit të Durrësit, futet një pjesë e madhe e drogës.
“Porta hyrëse është porti më i madh i Shqipërisë. Pikërisht këtu në Durrës futet një pjesë e madhe e drogës duke gjeneruar sasi të mëdha parash të zeza… Megjithatë tregtia e drogës lulëzon. Supozohet se njerëz të ngushtë të qeverisë aktuale janë në Kolumbi, por edhe në Meksikë, për të drejtuar tregtinë ndërkombëtare të trafikut të drogës,” vijon më tej dokumentari.
Sipas gazetarëve europianë, krimi është kaq i fuqishëm, sa cakton edhe ministrat. Sipas tyre, kartelet e drogës financojnë fushatat sigurojnë fonde publike dhe mbështesin politikanë.
“Kartelet e drogës janë të lidhur ngushtë me politikën. Ata financojnë fushatat zgjedhore, sigurojnë fonde publike dhe mbështesin politikanë. Edhe pse në televizione tregohet rregullisht lufta kundër mafies së drogës, gangsterët e niveleve të larta ndikojnë edhe në zgjedhjen e ministrave. Dy ish-ministra të brendshëm të Edi Ramës kanë qenë të lidhur me trafikun e drogës dhe kanë dhënë dorëheqje pas presioneve publike”.
Në dokumentar përmendet edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama, i cili akuzohet se së bashku me një bandë kriminale ka sjellë sasi të mëdha kokaine në BE në vitin 2014.
“Opozita shqiptare nuk i sheh përgjegjësit në port. Vendimet për trafikun e drogës merren në nivele më të larta. Edhe vëllai i vogël i Edi Ramës është i përzier në trafikun e drogës. Olsi Rama akuzohet se bashkë me një bandë ka sjellë sasi të mëdha kokaine në BE në vitin 2014”.