Kapri kërkesë Peleshit: Bëni transparencë për dosjen “Balluku”, mos u fshihni pas procedurave

Erald Kapri, deputeti i Partisë Mundësia, i ka kërkuar kreut të Kuvendit, Niko Peleshit, që të bëhet transparencë mbi dosjen e SPAK për Belinda Ballukun, e cila duhet t’u jepet të gjithë deputetëve.

Ai tha se deputetët nuk kanë sesi të votojnë për imunitetin e zv.kryeministres kur ata nuk e dinë se çfarë ka dosja, teksa i ka bërë thirrje Peleshit të mos fshihen pas procedurave për të mbrojtur numrin dy të qeverisë.

Kapri kundërshtoi edhe ndryshimet në Kodin Penal për regjistrimin e gazetarëve, pasi tha se kjo i jep mundësi qeverisë që të mund të procedojë gazetarët që nuk janë në linjën e saj.

“Thelbi nuk ka të bëjë me çështjet që kemi në rendin e ditës, por parlamenti është kthyer në një zyrë noterie. Ka projektligj shumë të diskutueshme në ndryshime në Kodin Penal, kjo qeveri kërkon të regjistrojë gazetarët. Kemi kundërshtim të hapur që shoqatave që thonë se është i pazbatueshëm. Do kërkoja që kjo të tërhiqet nga seanca , kërkon një debat më të gjerë. Kjo nuk është normale që qeveria nesër disa gazetarë t’i procedoj. Presim vendim historik të Gjykatës Kushtetuese sot, por çështjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. A keni afat se kur do procedoni me heqjen  e imunitetit të zonjës Balluku? Dhe na bëni transparancë për dosjen që ka sjellë prokuroria. Na kërkohet të votojmë nesër dhe nuk e dimë çfarë të votojmë? Mos u fshihni pas procedurave”, tha ai.