Kapet në Kosovë rrëmbyesi i Jan Prengës, 29 vjeçari fshihej me emër tjetër

Një nga rrëmbyesit dhe vrasësist e Jan Prengës është kapur në Kosovë falë një bashkëpunimi policor mes dy vendeve. Ai quhet Aldo Majnishta, 29 vjeç, lindur në Shkodër, dhe fshihej në Kosovë nën Identitet të rremë. 

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pengmarrja”.

Operacioni, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.

Si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe ILECU-së, Kosovë, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga një shtetas i kërkuar për krime kundër personit.

Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve mbi vendndodhjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, me qëllim kapjen e tyre, si dhe në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për përmbushjen e këtij qëllimi, të zhvilluara dhe me partnerët ndërkombëtarë, është finalizuar një tjetër operacion i përbashkët me Policinë e Kosovës, i koduar “Pengmarrja”.

Si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe ILECU-së, Kosovë, informacione këto të siguruara nga strukturat e Policisë, për një shtetas të kërkuar që qarkullonte në Kosovë, me dokumentet e një shtetasi tjetër, në kuadër të operacionit “Pengmarrja”, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Aldo Majnishta, 29 vjeç, lindur në Shkodër.

Ky shtetas, në momentin e kapjes, ka paraqitur pranë autoriteteve kosovare, dokumentet e një shtetasi tjetër. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me këto autoritete, janë kryer një sërë verifikimesh nga të cilat ka rezultuar se shtetasi i kapur gjatë operacionit ishte Aldo Majnishta.

-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit J. P.

-Gjithashtu, këtë shtetas Gjykata e Apelit të Shkodrës, në vitin 2016, e ka dënuar me 3 vjet burgim (nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 2 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burgim), për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Shqipërisë.