Kapet armatim i rëndë në veri të Kosovës, u përket serbëve të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me armatimin që u gjet dje në veri të vendit, që ishte fshehur nga pjesëtarët e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar. Bastisjet u kryen pas informacioneve të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se një pjesë e armatimit është gjetur në një pusetë kanalizimi, mbrapa një ndërtese në rrugën “Kollashini”. Pjesa tjetër është gjetur në një shtëpi të pabanuar në rrugën “Çeta e Minatorëve”.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, gjatë një konference për media ku janë ekspozuar armët e gjetura dhe të konfiskuara, ka bërë të ditur se armatimi dhe pajisjet tjera të gjetura dyshohet se kanë qenë aty për një kohë të gjatë.

“ARMËMBAJTJE PA LEJE – Rr. Kollashini, Mitrovicë Veri  14.06.2024-15:00. Nga njësia e hetimeve rajonale, mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimi, ka gjetur dhe sekuestruar tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 mm, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”.

“Rr. Çeta e Minatorëve, Mitrovicë Veri 14.06.2024-16:30. Është raportuar se nga njësia e hetimeve, në një shtëpi të pa banuar, ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit të modeleve të ndryshme si dhe eksplozivit. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Më tej Elashani ka thënë se këto armatime u përkasin dy të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë, Zharko Cvetkoviq dhe Marijan Radojeviq.

“Që të dyja lokacionet kanë emra, lokacioni i parë lidhet me emrin Marijan Radojeviq, ndërsa lokacioni i dytë ndërlidhet me Zharko Cvetkoviq… dhe që të dytë janë në kërkim për rastin e Banjskës… Ne konsiderojmë se ky armatim dhe këto pajisje ndodhen aty për një kohë më të gjatë”, ka thënë Elshani.