Shkodër/Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri, në familje.
Kanosi me armë zjarri pushkë, xhaxhanë e tij, për motive pronësie, kapet dhe arrestohet 29-vjeçari.
Sekuestrohen arma me të cilën u krye kanosja, fishekë luftarak dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa që u gjetën në banesën e të arrestuarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një konflikt ndërmjet disa familjarëve mund të përshkallëzohej deri në përdorimin e armës së zjarrit, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, me qëllim neutralizimin e këtij konflikti.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në vendin e ngjarjes, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 29 vjeç, banues në fshatin Gimaj, pasi dyshohet se pas një konflikti për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri pushkë, xhaxhanë e tij, shtetasin Z. K., 64 vjeç, banues në fshatin Ndërlisaj, Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pushkë, disa fishekë luftarak dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa që u gjetën në banesën e 29-vjeçarit.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.