“Kam incizime që Nuredin Dumani është takuar me deputetë dhe gjyqtarë”, dëshmia e fortë e Enver Divës në GJKKO

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dëshmuar sërish sot lidhur me dosjen “Plumbi i artë” duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të të pandehurve dhe duke u ballafaquar me ta.

Një prej të akuzuarve në këtë dosje, Enver Diva, ka thënë se ka prova që Nuredin Dumani ka bashkëpunuar me drejtësinë për të futur në burg njerëzit e Talo Çelës. Madje Diva ka thënë se ka incizime me fakte dhe prova se gjyqtarë dhe deputetë janë takuar me Nuredin Dumanin.

“Unë kam një provë timen që ky do i fuste në burg të gjithë shokët e Talos. Unë e kam të incizuar me fakte dhe prova që gjyqtarë dhe deputetë kanë ardhur për ta takuar Nuredin Dumanin. Janë 120 minuta incizim.” – ka deklaruar Enver Diva.

Ndërkohë Dumani është ndalur edhe në një tjetër ngjarje të rëndë siç është vrasja e komisarit, Dritan Lamaj. Dumani mësohet të ketë thënë në sallën e gjyqit se ishtë gëzuar kur mori vesh lajmin, pasi Lamaj i kishte hyrë në hak kot.

Henrik Hoxhaj e kam takuar në dhjetor 2019. Festim Qoli më ka folur për Henrikun kur kam dalë nga burgu për herë të parë, ose herën e dytë nuk më kujtohet fiks. Jam arrestuar atëherë për vjedhjen e dy makinave në Tiranë. Dola nga burgu dhe i thashë për një shef policie te Komisariati numër 6. Ai më goditi disa herë kur jam arrestuar, mora vesh që ai ishte vrarë pastaj. I thashë Festimit mirë që u vra Dritan Lamaj, se më hyri në hak kot. Për vrasjen e Elvis Dedës, Festim Qoli ka qenë në kërkim”, rrëfeu Dumani.