“Kam dokumenta, Olsi Rama i lidhur me kartelet e drogës”, gazetari italian: Agaçi, avokati i bosëve të mafias italiane që liroheshin në Shqipëri

Reportazhi i emisionit “Report” në RAI 3 ka tronditur pushtetin në Shqipëri, pasi investigimi i gazetarëve italianë nxori në pah disa skandale të mëdha, që janë përfolur në mediat vendase, por që qeveria vijonte t’i mohonte.

Gazetari italian, Giorgio Mottola, ka zbuluar se si kanë arritur të investigojnë dhe të zbulojnë lidhjet e pushtetit në Shqipëri me mafian dhe kartelet e drogës.

Ai tha në Syri Tv se gjithçka nisi nga marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, që i gjeti të befasuar italianët, pasi askush nuk kishte dijeni deri në momentin që gjithçka ishte bërë gati për t’u firmosur.

“Filloi sigurisht nga protokolli Shqipëri-Itali që na gjeti të befasuar të gjithë në Itali sepse na vuri para faktit të kryer. Papritur zbuluam se Shqipëria dhe Italia kishin nënshkruar një marrëveshje që do të devijonte një pjesë të emigrantëve drejt vendit tuaj. Dhe është një marrëveshje kjo që jo vetëm ka një vlerë për Italinë, por edhe në nivel evropian sepse sikurse e deklaroi PPE gjatë kongresit të fundit, ky model shqiptar, pra modeli i zhvendosjes së emigrantëve në vende të treta, mund të përdoret edhe nga vendet e tjera. Pra jemi përpara një kthese epokale.

Sigurisht kur bëhet një marrëveshje përpiqemi të kuptojmë se cilët janë palët. Nëse nga pala italiane, interesi ishte i qartë, që të prezantoheshin me zgjidhjen e çështjes së emigrimit përpara zgjedhjeve evropiane, pra nëse ishte e kuptueshme nga pala italiane interesi, që në fillim ishte shumë e ndërlikuar për të kuptuar se cili do ishte avantazhi për qeverinë shqiptare. Pra për një vend të bukur, por me shumë probleme. Kjo gatishmëri për të pritur një numër të konsiderueshëm, prej të paktën 36 mijë emigrantësh, na nxisin për të nisur investigimin për të kuptuar se cili është interesi i qeverisë Rama,” tha ai.

Gazetari thekson rolin kryesor që ka në këtë marrëveshje Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Këshillit të Ministrave, që sipas tij është një nga eksponentët më të rëndësishëm të qeverisë së Edi Ramës, teksa lidhja e tij me Italinë është e hershme.

“Do të thosha që Agaçi ka absolutisht një rol qendror në të gjithë këtë ngjarje. Nuk e them unë këtë, e thotë një eksponent i rëndësishëm i qeverisë së Ramës, Taulant Balla. Që nga momenti që erdha në Shqipëri, e kuptova se përtej Edi Ramës, kishte një figurë shumë qendrore, që është Engjëll Agaçi. Nisa të bëj investigime për të dhe aty u hap një botë e tërë. Sepse pastaj zbulova që fuqia dhe pushteti i Agaçit brenda qeverisë Rama ka një rol qendror, sidomos marrëdhëniet e tij me Italinë janë të rrënjosura,” tha gazetari.

Sipas tij, Ëngjëll Agaçi ka qenë avokat i bosëve të krimit në Itali, të cilët pavarësisht se në Itali kishin marrë dënime me 20 vite, kur vinin në Shqipëri shlyenin vetëm dy-tre vjet apo ndonjë muaj dhe më pas dilnin të lirë.

Mund të shohim edhe cili ishte roli i avokatit Agaçi në Itali, që ka qenë avokati i bosëve më të rëndësishëm në Itali, që kanë siguruar një trajtim të veçantë. Kemi zbuluar se ka pasur sinjalizime nga magjistratët dhe antimafia se si bosët e mafies italiane ekstradoheshin me lehtësi në Shqipëri, pavarësisht se në Itali kishin marrë dënime me 20 vite, kur vinin në Shqipëri shlyenin vetëm dy-tre vjet apo ndonjë muaj dhe më pas dilnin të lirë. Kështu që u habitëm kur morëm vesh që avokati i këtyre bosëve ishte Agaçi,”, u shpreh Mottola.

“Shumë herë jam përpjekur të kontaktoj Edi Ramën dhe Agaçin. Provova disa herë, por pa marrë përgjigje. Dua t’u them se Italia dhe Shqipëria në këtë ngjajnë shumë, sepse edhe në Itali kam shumë vështirësi të marr intervista për çështje me rëndësishëm për opinionin publik,” shtoi ai.

Por marrëveshja e emigrantëve duket se do të jetë vetëm fillimi i transferimit të refugjatëve afrikanë në territorin shqiptar, pasi gazetari thotë se ka të dhëna për të tjera kampe refugjatësh në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Giorgio Mottola u shpreh se lidhjet e krimit kanë arritur në nivele të larta në qeverinë e Edi Ramës, duke përmendur edhe lidhjen e Olsi Ramës me kartelet e drogës. Ai thotë se e ka me dokumenta nga magjistratët italianë që vëllai i kryeministrit shqiptar ka lidhje me narko-trafikantët.

“Nga dokumentet gjyqësore, nuk është se i gjeta unë, por janë magjistratë që i kanë gjetur emrat. Është një emër që m’u përmend që në fillim të investigimit. Disa magjistratë, që kanë punuar për vite të tëra në Shqipëri, i ishin referuar marrëdhënieve të vëllait të Edi Ramës me disa subjekte që i përkasin karteleve të drogës.

Më pas në Shqipëri kam gjetur edhe konfirmim të këtyre deklaratave, por gjithmonë kam pasur ngurrim dhe frikë për të përmendur emra që kanë të bëjnë me familjen e kryeministrit Rama.

Dhe më pas arrita të gjej dokumentet dhe për mendimin tim nuk ka keqkuptime, janë të qartë se tregojnë marrëdhëniet e Olsi Ramës me këto subjekte që janë dënuar për narkotrafik.

Vëzhgimi që më ka shqetësuar më shumë është se emri i Olsi Ramës nuk është përmendur aspak në hetime,” tha Giorgio Mottola.