Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi vendimin për të lënë në burg, Eneo Sulejmanin, pronari i një agjencie turistike dhe efektivin e Aeroportit të Rinasit Briken Tereziu.
Ndërkohë Sokol Xhika, Ermal Mesi, Aris Drini, janë lënë në arrest shtëpie, ndërsa ‘detyrim për t’u paraqitur’ është lëshuar për Ylli Prençi, Rei Shenjtolli, Enkis Aliaj, Argil Hasa.
Eneo Sulejmani kërkoi në gjykatë një masë më të butë sigurie teksa ka qenë arrestuar më herët me 1 kg kokainë dhe ndodhej në burg, nga celulari i të cilit u zbulua aktiviteti kriminal me udhëtarët nga aeroporti i Rinasit. Ai ishte kapur në muajin mars duke transportuar një kilogram lëndë narkotike të llojit kokainë, në Tiranë. Në momentin e ndalimit, Sulejmani nuk i ishte bindur thirrjes së policisë dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e efektivëve dhe duke i përplasur, me qëllim shmangien automjetin e shërbimit të policisë. Kështu një prej policëve ka qëlluar me armë dhe plumbi e ka kapur në pjesën e kofshës. Pas ngjarjes, i riu u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës dhe pas kësaj përfundoi në burg.
Pas kontrollit në telefonin e tij u zbulua edhe lidhja me punonjësit e aeroportit. Megjithatë një nga afektivët me masë detyrim paraqitje, pretendoi se shumica e rasteve dhe veprimeve të tyre kanë qenë administrative dhe jo shkelje penale.
Në bashkëpunim e njëri-tjetrin këta shtetas mundësonin kalimin e personave që ju ndalohej kalimi në territorin e vendeve të Bashkimit Evropian nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
Pronari i agjencisë “Bus Albania”, Enea Sulejmani kishte kontakte me ndihmës specialistin/kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Aeroporti Rinas, Briken Tereziu.
Përmes agjencisë së tij, përveç përfitimeve nga biletat që iu shiste qytetarëve Sulejmani hynte ndërmjetës për ata që kishin problematika me ndalimin e udhëtimit në zonën Shengen.
Ai i dërgon të dhënat e personave të cilët kanë blerë bileta në këtë agjensi, për verifikim paraprak të rekordeve në sistemin TIMS, nëse plotësojnë kushtet për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, e duke e informuar atë rast pas rasti për problematikat që kanë.
Sipas hetimeve që ka kryer prokurori Bledar Valiakj, pasi këta persona verifikohen paraprakisht prej Tereziut, ose lidhjeve të tij shoqërore/punonjës policie, jepeshin udhëzimet mbi kabinën ku duhet të paraqiten për përpunimin e të dhënave dhe vlerat monetare në këmbim të lejimit për të udhëtuar dhe formën e dorëzimit të tyre.
Në varësi të problematikës, për rastet të cilat personat janë kthyer në kategorinë INAD ose deportiv nga vendet e BE-së, punonjësi i policisë Briken Tereziu jep udhëzime mbi intinerarin e udhëtimit që duhet të kryej pasagjeri, duke vendosur si destinacion fillestar aeroportet e vendeve që nuk janë në BE dhe më pas kryerjen e fluturimeve tranzit drejt vendeve të BE-së.
Në lidhje me rastet të cilat kanë problematika të tjera, në varësi të tyre përcaktohen vlerat monetare në këmbim të lejimit të kalimit, të cilat variojnë nga 50 euro (per persona të cilët nuk kanë asnjë problematike, por mashtrohen prej tyre) deri në vlerat e 500 eurove apo më shumë për ata që kanë problematika të tipit, nuk lejohen të udhëtojnë pasi janë të kthyer në kategorinë Inad apo deportiv nga shtetet e tjera, anëtare të BE-së.