Kadastra e Vlorës zhvendoset në Tiranë/ Punonjësit protestojnë kundër vendimit, shkarkohet nëndrejtori pas firmosjes së peticionit

55 punonjës të Kadastrës në Vlorë kanë kundërshtuar vendimin për zhvendosjen e institucionit drejt Tiranës, teksa kanë nënshkruar edhe një peticion kundër këtij vendimi.

Peticionin e ka firmosur edhe nëndrejtori i Kadastrës së Vlorës, Sokol Shehaj, i cili u rreshtua në krah të punonjësve të tjerë, por që i kushtoi vendin e punës, pasi është shkarkuar një ditë më parë nga detyra e tij.

Në një komunikim për mediat, ai ka thënë se lirimi i tij nga detyra ka ardhur si masë ndëshkuese për nënshkrimin e peticionit.

“Unë e nënshkrova peticionin, iu bashkova punonjësve. Nisur dhe nga eksperienca e mëparshme që Drejtoria vendore ka qenë gjithmonë në qytetin ku duhej të ishte, aty ku janë pronat dhe s’mund të lëvizin në qytete të tjera. Kjo ishte arsyeja përse mbështeta të gjithë punonjësit dhe për arsyet e tyre familjare.

Një ditë më parë ka ardhur një e-mail për lirim tim nga detyra si masë ndëshkuese për nënshkrimin e peticionit”, deklaroi ai.

Ndërkohë punonjësit kanë thënë se zhvendosja drejt Tiranës është e pamundur për shkak të kushteve familjare, pasi shumica prej tyre kanë familje, prindër dhe fëmijë, çka e bën të pamundur lëvizjen e përditshme apo transferimin drejt Tiranës për të ushtruar detyrën.

Ndërkohë, afati i fundit për zhvendosjen është fundi i muajit, periudhë gjatë së cilës duhet të spostohet edhe baza materiale e institucionit. Pas kësaj, sipas punonjësve, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me ta.